Lajme

Vapë, selfie dhe bojë vjollcë – Në Indi pjesëmarrje rekord, Modi drejt mandatit të tretë


Grila të mbyllura, pa alkool, as në hotele, dhe mania për selfie jashtë qendrave të votimit.

Të gjithë duke bërë selfie me gishtat e tyre me bojë ngjyrë vjollcë në “festivalin më të madh të demokracisë”, siç quhen zgjedhjet indiane në tabelat e rrugëve dhe aeroporteve.

Nga Varanasi deri në Kalkuta, dhjetëra miliona u drejtuan dje në votime duke sfiduar të nxehtin rekord të këtyre ditëve, i cili ka marrë 33 jetë, përfshirë rreth njëzet zyrtarë që po përgatisnin qendrat e votimit. Pavarësisht temperaturave mbi 45 gradë, pjesëmarrja ka arritur gati 60 për qind në këtë raund të shtatë dhe të fundit të maratonës elektorale që filloi më 19 prill.

Në lojë ishin 57 vendet e mbetura nga 543 vendet e Dhomës së Ulët të Parlamentit, në një konsultim që u shfaq që në fillim si një referendum mbi dhjetë vitet e qeverisjes së Narendra Modit, të përqendruara në zhvillimin ekonomik dhe krenarinë hindu. Duket pothuajse e sigurt që kryeministri ka kaluar provimin dhe është në rrugë për mandatin e tij të tretë.

“Mund të them me besim se populli indian ka votuar në numër rekord për të rizgjedhur qeverinë time”, ka deklaruar vetë Modi në X.

Kjo nuk heq asnjë pezullim nga rezultati i votimeve, që pritet të martën. Kryeministri prej javësh përsërit si një mantra që synon të arrijë, së bashku me aleatët, kufirin prej 400 vendeve në parlament. Një super shumicë që do t’i lejonte të ndryshonte Kushtetutën. Një fitore e pjesshme, nëse nuk e arrin objektivin; pothuajse një degradim nëse fiton më pak se 353 vendet e 2019-ës.

Sondazhet e para dalëse, të kryera nga transmetuesi NDTV, i kanë dhënë koalicionit të tij, NDA, më shumë se 360 deputetë, më shumë se dyfishi i 142 vendeve të parashikuara për Aleancën India, e udhëhequr zyrtarisht nga Rahul Gandhi, që nga dje.

Forca kryesore e opozitës është kritikuar nga qeveria për dëshirën e saj për të bojkotuar mbrëmë programet televizive mbi këto parashikime, përpara se të bëheshin publike, duke qenë se në të kaluarën ishin treguar të pabesueshme dhe të njëanshme.

“Ju festoni më 1, ne do të festojmë më 4”, u kundërpërgjigj në X zëdhënësja e Partisë së Kongresit, duke cituar një sondazh të popullit që do ta shihte fituese Koalicionin India.

Për të mbështetur përpjekjet e opozitës është përfshirë edhe guvernatori i rajonit të New Delhi-t, Arvind Kejriwal: i arrestuar për mashtrim ndërsa po fillonte fushatën elektorale, më pas i liruar përkohësisht, ka akuzuar BJP-në për sulme të padrejta me sfond politik, por sot është kthyer në qeli.

Modi e nisi fushatën e tij duke u përqendruar në arritjet e tij, por më pas kaloi në sulm, duke akuzuar partinë e Gandhit për favorizimin e pakicës myslimane. Një kthesë që disa e lexuan si një shenjë nervozizmi, ndërsa fushata e opozitës po forcohej pas një fillimi të shënuar nga ndarjet. Fronti u rigrupua për të shpëtuar Kushtetutën dhe demokracinë nga një qeveri autoritare dhe kundër rritjes së pabarazive.

Sipas sondazheve dalëse, suksesin e Modit e kanë ndihmuar fitoret e arritura në zona ku BJP nuk ka qenë kurrë e fortë dhe ku kohët e fundit ka intensifikuar përpjekjet: në Jug dhe në Bengal Perëndimor. Mjafton të mendosh që vetëm në dy muaj, nga prilli, kryeministri ka qenë 22 herë në Kalkuta dhe përreth për të mbajtur mitingje, në përpjekje për të “pushtuar kështjellën” e Mamata Banerjee.

Liderja e Trinamool Congress në 2011 i dha fund mbi tridhjetë viteve të qeverisjes komuniste dhe që atëherë drejton Bengal me dorë të hekurt dhe qëndrim asistencialist.

Në ish-kryeqytet, të rinjtë, sidomos ata më të arsimuarit, kërkojnë punë dhe perspektiva dhe shohin drejt BJP-së.

“Qeveria e Bengalit u jep para të moshuarve dhe grave dhe ata janë të kënaqur, por ne jo: ne duam mundësi. Këtu nuk kemi mundësi të bëjmë stazhe ndërsa studiojmë dhe një herë që diplomohemi nuk gjejmë punë: Pse?”, ankohet Sneha Sikdar, 22 vjeç, e dalë nga qendra e votimit herët me motrën dhe nënën e saj.

“Kam qenë në pjesë të tjera të Indisë dhe të gjitha janë më të zhvilluara. Vota ime është për rritjen dhe zhvillimin, nuk dua të detyrohem të emigroj siç kanë bërë disa nga miqtë e mi”, na thotë Parminder, 34 vjeç.

Disa sondazhe të kryera në pjesën tjetër të vendit kishin treguar se votuesit janë gjithnjë e më të shqetësuar për nivelin e lartë të papunësisë, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe ndjesinë se vetëm një pjesë e vogël e indianëve kanë përfituar nga rritja e gjallë ekonomike e epokës Modi.

Marrë nga Corriere Della Sera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore