Shqipëria

Vandalizohen posterat e Safet Gjicit në Kukës, akuzohen demokratët


Disa postera të fushatës elektorale në Kukës, të cilat paraqisnin kandidatin socialist Safet Gjici dhe alternativën e tij për qytetin, janë vandalizuar.

Denoncimin e ka bërë vetë Gjici, i cili është kryetar aktual i bashkisë veriore, ku ai ka akuzuar drejtpërdrejt kundërshtarët demokratë për veprën.

“Siç e shikoni, kundërshtarët tanë në këtë përballje, jo vetëm që nuk kanë mundësinë, por as ndonjë gjë tjetër përveç këtyre akteve vandale se çfarë t’iu ofrojnë qytetarëve të Kukësit”, ka shkruar ai në një reagim në median sociale Facebook.

Sipas Gjicit, ky është manifestimi i vetëm që pala kundërshtare mund të bëjë, duke parë edhe ato që i cilëson si vepra të shkuara të shkatërrimit.

“Me këto veprime, nuk besoj se qytetarët kuksianë jo që nuk besojnë, po as nuk mund të shpresojnë për një fytyrë tjetër”, vijoi më tej ai. “Janë ata që kanë qenë me të njëjtat qasje, sjellje dhe risi. Mendonim se u ka humbur vetëm vula, por me veprimet e tyre ata kanë humbur çdo element demokratik të një lufte politike dhe të përballjes në konkurrimin për qytetarin e parë të Kukësit”.

Përmes një video të publikuar, Gjici po ashtu i bën thirrje qytetarëve që t’i ndalojnë akte të tilla, të cilat sipas tij, thjesht vërtetojnë sloganin e forcës së majtë politike: Kurrë më mbrapa, vetëm përpara.

“Përballë këtyre akteve slogani ynë jo vetëm që është i arrirë, por merr akoma dhe më shumë vlera. Ne do të vazhdojmë të mbjellim për të ndryshuar gjithçka, edhe këto veprime vandale të vulëhumburve”, e mbyll ai reagimin.

Teksa, nga ana e demokratëve, ende nuk ka një prononcim sa i takon çështjes dhe akuzave nga socialisti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore