Kosova

Ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar nisin patrullimin përgjatë vijës kufitare, njofton KFOR-i


Ilustrim

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR), nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, ka njoftuar se përforcimet e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të KFOR-it kanë nisur patrullimin përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sigurimin e aseteve inxhinierike për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë në një shkollë lokale.

“Ushtarët britanikë nga Forca Rezervë Strategjike e NATO-s kryejnë patrulla përgjatë vijës kufitare administrative dhe ofrojnë mjete inxhinierike për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë në një shkollë lokale në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it, derisa është përmendur zotimi i kahershëm për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash që tashmë stërvitet në Kosovë dhe Rumania ka dislokuar gjithashtu rreth 130 ushtarë në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit.

“Njësia u mobilizua pas tensioneve të shtuara në Kosovë, në mënyrë që të sigurojë aftësinë e KFOR-it për të përmbushur mandatin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për media të lëshuar nga zyra e KFOR-it në Prishtinë.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me komandantin turk të KFOR-it, Ozkan Ultutas, ka theksuar domosdoshmërinë e rritjes së sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh se sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të përdorur nga grupi terrorist është kontrabanduar nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore