Shqipëria

Urimi i Ramës për Nanon dhe “libri për kryetarët e ardhshëm”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dedikuar ish-kryesocialistit Fatos Nano një urim të gjatë në median sociale “Facebook” për ditëlindjen e tij.

Fillimisht, ai kujton se si i ashtuquajturi “Qorri”, ishte fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, i cili punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e “presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij”.

Ky profil, sipas kreut të Qeverisë, i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike.

Nano i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare, vëren më tej Rama.

Ai shton se mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë.

“Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur të PS e unikale mes partive politike në Shqipëri”, thekson kryeministri në urimin e tij.

Në përmbyllje të mesazhit, Edi Rama uron që të dy kryesocialistët të shkruajnë një libër “për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh”.

“Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht”, ravijëzon kryeministri shqiptar.

Kush është Fatos Nano

Në vitin 1991 Fatos Nano filloi karrierën e tij politike pasi u zgjodh si Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri.

Në zgjedhjet që u mbajtën më 31 mars 1991, të cilat u fituan nga Partia Socialiste, ai u caktua përsëri si Kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të japë dorëheqjen.

Në mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga Presidenti Sali Berisha.

Në 1997 Nano u lirua nga burgu pas trazirave të kryera në atë kohë, kur falimentuan firmat piramidale që shkaktuan një kryengritje të armatosur kundër Presidentit Sali Berisha.

Në fund të vitit 1997 u zhvilluan dhe zgjedhjet e përgjithshme të cilat u fituan nga PS, ai u caktua si Kryeministër dhe dha dorëheqjen pas trazirave të ndodhura për shkak të vrasjes së Azem Hajdarit.

Në korrik të vitit 2001, PS fitoi zgjedhjet dhe Nano u bë kryeministër për të tretën herë në korrik 2002.

Në 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe mazhorancën në parlament. Pas humbjes së zgjedhjeve, më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.

Më 8 korrik 2007 ai u fut në garën presidenciale në një përpjekje për të zëvendësuar Alfred Moisiun.

Urimi i plotë:

“Fatos Nano u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysmë shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45-vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurërreshkur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.

Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjes së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.

Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur të PS e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxori socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në krye të qeverisë atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtet-ndërtimit nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97.

Historia e marrëdhënies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm,  me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë.

Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katër-rrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurrenca e dobët.

Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht.”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore