Lajme

UNMIK-u kërkon transparencë dhe llogaridhënie për rastin në Banjë


UNMIK-u.

Përfaqësuesja speciale e sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë sërish thirrje për transparencë në hetime dhe llogaridhënie për sulmin në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator.

Ziadeh, në konsultimet e saj të rregullta në Beograd, ka thënë se e dënon këtë incident tragjik “në termat më të ashpër”.

“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e saj të thella për humbjen e jetës së një polici të Kosovës dhe dënon pa mëdyshje këtë incident tragjik në termat më të ashpër”.

“Ajo bën thirrje që autorët të mbajnë përgjegjësi dhe u uron personave të plagosur shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut.

Caroline Ziadeh.

Teksa është thënë se UNMIK-u po monitoron nga afër situatën dhe u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje.

Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç është takuar me shefen e misionit të UNMIK-ut, duke i thënë se Kosova ka keqpërdorur situatën e 24 shtatorit në Banjë.

Sipas saj kjo është bërë me qëllim për të përhapur dezinformata.

“Beogradi vazhdimisht ka paralajmëruar për brutalitetin dhe dhunën ndaj së cilës është e ekspozuar popullata serbe dhe ajo joshqiptare në Kosovë”.

“Ajo ka theksuar se Prishtina ka keqpërdorur situatën në Banjë për të përhapur dezinformata”.

Ndërsa, Ziyade deklaroi se UNMIK-u mbetet konsistent në zbatimin e mandatit të tij në përputhje me Rezolutën 1244, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Serbisë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

I njëjti më pas në një konferencë për media nga avokati i tij kishte pranuar se kishte qënë pjesëmarrës në këtë sulm terrorist në Banjskë.

Radojiçiç ishte arrestuar të martën, i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi duke ia ndaluar atij hyrjen në shtetin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore