Ulutas: Dialogu s’është vetëm një domosdoshmëri politike, por edhe një imperativ moral për brezat e ardhshëm

Në fund të mandatit të tij, Komandanti i KFOR-it ka qëndruar në Bruksel ku informuar ambasadorët e vendeve anëtare të NATO në lidhje me situatën në Kosovë
SHFLETO

Ozkan Ulutas

 

Dini Fetahu
25.09.2024 18:05
Loading Icons...

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, ka thënë se dialogu vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nuk është vetëm një domosdoshmëri politike, por edhe një imperativ moral për hir të brezave të ardhshëm.

Këto komente, Ulutas, i cili është në përfundim të mandatit të tij, i ka bërë nga Brukseli, përkatësisht në selinë e NATO-s, ku ka njoftuar ambasadorët e të gjithëve vendeve të NATO-s në lidhje me situatën në Kosovë.

Në një mesazh dërguar mediave, Ulutas ka theksuar se viti fundit ka qenë plot me ngjarje, duke shtuar se në muajt e fundit ka parë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës përtej historisë së tyre komplekse.

“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjitha komunitetet në Kosovë ndajnë një shpresë të përbashkët për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, tha ai, derisa potencon se “fatkeqësisht, shumë sfida mbeten”.

“Tensionet ende ziejnë dhe mosbesimi midis komuniteteve pengon përparimin”, vlerëson ai.

Dialogu politik Kosovë-Serbi, në prizmin e tij, “vazhdon të përballet me pengesa”, derisa rithekson se NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja “si kornizë për një zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e pazgjidhura”.

“Mbetem optimist se me durim, këmbëngulje dhe qëndrim konstruktiv nga të gjitha anët këto pengesa mund të kapërcehen”, shtoi.

Gjatë komandës së tij, KFOR “ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në mbarë Kosovën”.

“Nëpërmjet një qëndrimi të dukshëm, fleksibil dhe të adaptueshëm, ne kemi parandaluar rreziqet për dhunë të përtërirë dhe kemi kontrolluar me shpejtësi situata që mund të çojnë në incidente ose përshkallëzime të tjera. Kemi përforcuar më tej misionin dhe kemi vazhduar rolin tonë si një forcë e paanshme, duke punuar me të gjitha komunitetet për të nxitur sigurinë, për të gjithë njerëzit”.

Një nga pikat kryesore gjatë mandatit të tij, ai përmend “mbikëqyrja e koordinimit të KFOR-it me një gamë të gjerë homologësh: BE-në, OSBE-në, OKB-në, institucionet në Kosovë, komunitetin diplomatik në përgjithësi dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe”.

Ky bashkëpunim mbetet kritik, thekson ai, “për të mirën e sigurisë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”.

Derisa po largohet nga Kosova, Ulutas potencon se merr me vete “mësime të paçmueshme – profesionale dhe personale”.

“Si gjeneral turk, jam krenar për përkushtimin e gjatë të kombit tim për ruajtjen e paqes dhe mbështetjen që i kemi dhënë misionit të NATO-s në Kosovë”.

“Kjo përvojë më ka thelluar të kuptuarit se sa kritik janë bashkëpunimi dhe besimi ndërkombëtar për ruajtjen e paqes në mjedise komplekse”.

Komandanti turk i KFOR-it pati edhe një mesazh për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“I bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim”, pohoi Ulutas, dhe shtoi se zhvillimi i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “mbetet vendimtar dhe besoj fuqimisht se është e mundur”.

“Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët. Ky dialog nuk është vetëm një domosdoshmëri politike, por edhe një imperativ moral për hir të brezave të ardhshëm”.

Ai nuk ka lënë pa shprehur mirënjohje për të gjithë popullin e Kosovës dhe komunitetin e KFOR-it, për mbështetjen gjatë mandatit të tij si komandant i misionit.

“E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja dhe besoj se kjo e ardhme mund të jetë e ndritur”, deklaroi Ulutas ndër të tjera.