Lajme

Ulja e dënimit për abuzuesit seksual të fëmijëve shkakton zemërim në Indi


Në Indi, një vendim që ka ulur dënimin me burg të një burri të dënuar për detyrimin e një djali 10-vjeçar për të kryer marrëdhënie seksuale orale, ka shkaktuar zemërim.

Ky vendim vjen rishtas pas një tjetri ku Gjykata e Lartë e Indisë rrëzoi një urdhër të diskutueshëm që lironte një burrë nga sulmi seksual ndaj një vajze 12-vjeçare.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se urdhri në fjalë u shpall nga gjykata e lartë e Allahabad në shtetin verior të Uttar Pradesh.

Krimi daton në vitin 2016 kur burri kishte vizituar shtëpinë e fëmijës dhe e kishte çuar në një tempull lokal ku kishte abuzuar seksualisht me të.

Ai i kishte dhënë fëmijës 20 rupi për të heshtur mbi sulmin dhe e ka kërcënuar fëmijën me pasoja nëse e raportonte atë.

Në gusht 2018, një gjykatë e shpalli burrin fajtor për abuzimin e kryer dhe i dha atij një dënim me 10 vjet burg.

Mirëpo, ai e apeloi vendimin dhe javën e kaluar, gjyqtari i gjykatës së lartë e uli dënimin në shtatë vjet, duke nënkuptuar se krimi ishte më pak i rëndë sesa e kishte konsideruar gjykata.

“BBC” dallon se ekspertët ligjorë e kanë vënë në pikëpyetje gjykimin, duke thënë se ka disa faktorë që e bëjnë një sulm “të rëndë”, një prej të cilëve është nëse viktima rezulton nën 12 vjeç.

Edhe në mediat sociale, urdhri ka shkaktuar shumë zemërim në Indi me shumë njerëz që e kanë kritikuar atë.

Një përdorues i Twitter-it ka thënë se “asnjë masë ndëshkimi nuk mund të fshijë traumën e djalit të vogël”.

India është shtëpia e numrit më të madh të fëmijëve të abuzuar seksualisht në botë, me dhjetëra mijëra raste të raportuara çdo vit.

Vitin e kaluar, Byroja Kombëtare e Regjistrimeve të Krimeve ka regjistruar 43 mijë shkelje, çka përbën një mesatare prej një rasti çdo 12 minuta.

Në vitin 2007, një studim nga ministria e grave dhe mirëqenies së fëmijëve ka zbuluar se më shumë se 53 për qind e rreth 12 mijë e 300 fëmijëve që u anketuan raportuan një ose më shumë forma të abuzimit seksual.

Gjithashtu, shkruan “BBC”, ka nxjerr në pah se në kundërshtim me besimin e përgjithshëm se vetëm vajzat abuzoheshin, djemtë ishin po aq të rrezikuar.

Mbase më shumë se 53 për qind e atyre që kanë thënë se ishin viktima, ishin meshkuj.

Ndërkaq, edhe policia ka dalluar se në më shumë se 90 për qind të rasteve, dhunuesit janë të njohur për viktimën, ashtu si në rastin e djalit 10-vjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore