Aplikacione

Ukrainasit po i ruajnë monumentet kulturore në një arkiv digjital


Në Ukrainë, qindra monumente kulturore janë skanuar nga civilët në telefonat e tyre celularë përmes një aplikacioni të quajtur Polycam.

Software-i i tij gjeneron një model të detajuar 3D, që do të jetojë përgjithmonë në një arkiv digjital, si pjesë e një nisme të quajtur Backup Ukraine.

I nisur në prill, projekti synon të ruajë në mënyrë digjitale trashëgiminë kulturore të vendit, larg nga sulmet ruse.

Sipas krijuesve të projektit, skanimet janë aq cilësore sa mund të projektohen në një hapësirë fizike për t’u eksploruar për qëllime edukative.

Po ashtu mund të përdoren për të rindërtuar artefakte kulturore të shkatërruara.

Backup Ukraine është ideja e agjencisë krijuese të VICE, Virtue Worldwide, e cila bashkëpunoi me Blue Shield Denmark, një grup që ndihmon në mbrojtjen e vendeve të trashëgimisë kulturore globale dhe Komisionin Kombëtar Danez të UNESCO-s.

“Çka donim të luftonim, ishte shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë ukrainase si një akt terrori, frikësimi kombëtar. Kjo është vërtetuar”, ka thënë Tao Thomsen, bashkë-krijues i Backup Ukraine.

Ministria Ukrainase e Kulturës ka dokumentuar 367 krime lufte kundër trashëgimisë kulturore të vendit deri më 27 maj, duke përfshirë shkatërrimin e 29 muzeve, 133 kishave, 66 teatrove dhe bibliotekave dhe një varreze shekullore hebraike.

Për herë të parë në histori, me Backup Ukraine, artefaktet e një vendi po dokumentohen në realitetin e shtuar gjatë një lufte në vazhdim.

Një precedent ky që ka hapur debate rreth mënyrës sesi kjo teknologji mund të përdoret në vende të tjera që përjetojnë konflikt ose luftë.

Nga ana tjetër, ekipi po eksploron edhe mundësinë e krijimit të modeleve 3D të kishave dhe ndërtesave të shkatërruara që nuk janë skanuar, duke përdorur pamje digjitale nga e kaluara.

“Kemi krijuar një precedent për sa i përket mbrojtjes së artefakteve kulturore dhe një modeli, një sistem që njerëzit mund ta përdorin teksa konflikti zhvillohet”, ka thënë Iain Thomas, bashkë-krijues i projektit.

Për të, “një nga gjërat më të mahnitshme është se njerëzit po skanojnë monumente, statuja dhe skulptura… Ata po skanojnë gjithashtu aspekte të vogla të jetës së tyre, gjërat që zotërojnë dhe vlerësojnë”.

Sakaq, ekipi është duke futur menaxherët lokalë të projektit “për t’ia dorëzuar ngadalë pronësinë vetë ukrainasve” dhe 150 njerëz janë bashkuar si vullnetarë, duke skanuar deri në dhjetë pjesë të trashëgimisë kulturore të rëndësishme çdo ditë.

Që nga nisja, mbi gjashtë mijë njerëz në Ukrainë kanë shkarkuar aplikacionin Polycam për të hyrë në arkivin digjital.

Arkitekti vendas, Max Kamynin, ka treguar se doli vullnetar për iniciativën afërsisht një muaj më parë dhe cakton tre deri në katër ditë në javë për të bërë skanime.

Përgjatë tyre, ai synon të krijojë 15 deri në 20 skanime me cilësi të lartë.

Para çdo dite skanimi, Kamynin bën një listë të monumenteve, ndërtesave historike ose objekteve të shkatërruara nga forcat ruse dhe ndjek rrugën.

“Tani, shumë monumente të mëdha janë të mbuluara, kështu që nuk mund t’i skanoj. Por kjo nuk më shqetëson sepse Ukraina është shumë e pasur në histori dhe gjithmonë mund të gjesh diçka interesante për të skanuar”, ka treguar ai.

Atij iu desh afërsisht një orë për të skanuar një katedrale ortodokse në Kiev, e ndërtuar fillimisht në vitin 1132. Ishte ndërtesa e parë në Kiev që ishte ndërtuar tërësisht me tulla pa përdorur gurë.

Kisha u shkatërrua në vitin 1935 gjatë epokës sovjetike, por më vonë u rindërtua në fund të viteve 1900.

“Ndërtesat e mëdha janë më të vështira për t’u skanuar se sa skulpturat apo monumentet. Duhet të shkoni rreth të gjithë ndërtesës dhe nëse është e mundur, përdorni një dron për ta bërë skanimin më të mirë”, ka thënë Kamynin.

Për krijuesit, e gjitha kjo është transformuar në një lëvizje.

Sepse civilët ukrainas e njohin gjithnjë e më shumë rëndësinë e mbrojtjes së historisë, artit dhe kulturës së vendit të tyre dhe shohin drejt së ardhmes së tyre.

“I këshillojmë njerëzit të mos skanojnë në zonat ku ka konflikt. Pasi ka rrezik sa herë dalin. Nuk mund ta injorojmë këtë fakt”, ka thënë Thomas.

“E, megjithatë, njerëzit ende dalin çdo ditë për të skanuar. Kjo për mua dëshmon se krenaria kombëtare është një faktor vërtet i fuqishëm shtytës”, ka theksuar ai.

Prej fillimit të luftës, sektori kulturor i Ukrainës ka nxituar të mbrojë kishat, muzetë, statujat dhe artin, teksa vijojnë të pësojnë dëme.

Presidenti Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje UNESCO-s që ta largojë Rusinë nga anëtarësimi, sepse ka shkatërruar “shumë monumente dhe vende kulturore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Drejtuesit e Backup Ukraine janë në kontakt të rregullt me organet përgjegjëse të Ministrisë së Kulturës.

Ata po koordinohen edhe me profesionistë në industrinë e skanimit 3D, në Ukrainë dhe globalisht, për të skanuar me një ritëm më të shpejtë dhe shkallë më të madhe.

Partnerët e projektit janë gjithashtu në diskutime me departamentet lokale të Ministrisë së Kulturës për skanimin e vendeve të trashëgimisë së profilit të lartë në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Veçanërisht qendrën historike në Lviv dhe Katedralen e Shën Sofisë në Kiev.

Profesori Yuri Shevchuk ka thënë se skanimi 3D i trashëgimisë kulturore të Ukrainës është një “mjet arsimor fantastik”.

Sipas tij, çka po bëhet tani në Ukrainë, është pothuajse si ta bësh historinë e vendit rezistente ndaj kohës.

“Mund ta përdorim këtë si edukim për studentët, por edhe për vetë ukrainasit dhe botën. Projekti na bën gjithashtu, si ukrainas, të rimendojmë dhe rizbulojmë atë që kryesisht nuk është vënë re”, ka vijuar.

Shevchuk ka treguar se, projektet si Backup Ukraine i shërbejnë një qëllimi më të madh në luftën kundër agresionit dhe propagandës ruse që nuk njeh identitetin unik kulturor të Ukrainës dhe sovranitetin territorial.

“Ukraina, identiteti i saj, thjesht nuk ekzistojnë për Rusinë, thjesht janë një shumëllojshmëri e qytetërimit rus”, ka thënë ai.

“Ato atribute të identitetit ukrainas si kultura, gjuha, letërsia, muzika dhe arkitektura janë me të vërtetë diçka që i shënjojnë ukrainasit si origjinalë, të paimitueshëm dhe të ndryshëm nga çdo komb tjetër”, ka theksuar ai.

Dhe se duhet patjetër të ruhen.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore