Lajme

Ukraina: Tërheqja e stafeve nga SHBA-të dhe Britania, hap i nxituar


“Ndërkohë që e respektojmë të drejtën e përfaqësive të huaja për të siguruar misionet e tyre diplomatike, besojmë se tërheqja e tyre, ka qenë e parakohshme”.

Është ky qëndrimi zyrtar i Ukrainës mbi tërheqjen e stafeve jothelbësore diplomatike nga ana e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe prej Kievit, pas përshkallëzimit të konfliktit në distancë mes Kievit dhe Moskës, ku pala ruse ka afruar mbi 100 mijë trupa ushtarake në kufi.

Zëdhënësi për shtyp i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, nëpërmjet një postimi në Twitter, e ka bërë të qartë qëndrimin.

“Kemi mësuar vendimin e Departamentit të Shtetit, për të larguar familjet e stafit diplomatik nga Kievi”, e nis ai postimin. “Ndërkohë që e respektojmë të drejtën për t’i mbrojtur ata, besojmë se ishte e parakohshme dhe një instancë e kujdesit të tepruar”.

Vendimi nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, erdhi nën pretendimin e një frike të shtuar prej pushtimit rus.

Largimi

Departamenti i Shtetit urdhëroi të hënën largimin e të gjithë anëtarëve të familjes së personelit që shërben pranë ambasadës amerikane në Kiev.

Njoftimi zyrtar i autoriteteve amerikane përmendte si shkak “kërcënimin e aksionit ushtarak rus”.

Departamenti i tha gjithashtu stafit jothelbësor se ata mund të largohen nga vendi.

Atmosfera e paqëndrueshme është treguesi i fundit se përpjekjet për të mospërshkallëzuar krizën kanë dështuar pas bisedimeve midis Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov.

“Kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia, janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen brenda një kohe të shkurtër”, nënvizon departamenti në deklaratë.

Të njëjtën rrugë diplomatike zgjodhën edhe autoritetet britanike.

Ato filluan gjatë 24 janarit tërheqjen e një pjese të stafit diplomatik nga ambasada në Ukrainë.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme britanike thanë se aktualisht nuk kishte kërcënime specifike për diplomatët.

Gjysma e stafit në Kiev thuhet se është planifikuar të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, reagoi menjëherë pas tërheqjes së familjeve të diplomatëve amerikanë në Ukrainë, duke garantuar se BE-ja “nuk po ndjek SHBA-të”.

“BE-ja nuk po ndjek Shtetet e Bashkuara në tërheqjen e familjeve të diplomatëve të saj nga Ukraina”, theksoi kryediplomati evropian.

Sipas Borrell, nuk ka nevojë të “dramatizohet” situata ndërsa vazhdojnë bisedimet me Rusinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore