Lajme

Ukraina i kërkon Turqisë të ndalojë një anije mallrash me flamur rus


Ukraina i ka kërkuar Turqisë të ndalojë anijen e ngarkesave me flamur rus “Zhibek Zholy”, me arsyetimin se po transporton grurë të marrë nga porti i Berdyansk – i pushtuar nga Rusia. Kështu ka bërë me dije një zyrtar ukrainas dhe dokumenti është parë nga agjencia e lajmeve ndërkombëtare “Reuters”.

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, duke cituar informacionin e marrë nga administrata detare e vendit, tha se “Zhibek Zholy” kishte ngarkuar rreth 4 mijë e 500 tonë grurë nga Berdyansk, që sipas tij i përkasin Ukrainës.

Në një letër të datës 30 qershor drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës tha veçmas se “Zhibek Zholy” ishte përfshirë në “eksportin e paligjshëm të grurit ukrainas” nga Berdyansk dhe u nis për në Karasu, Turqi, me 7 mijë ton ngarkesë – një ngarkesë më e madhe sesa citohet nga zyrtari.

“KTZ Express” me bazë në Kazakistan konfirmoi se “Zhibek Zholy” ishte në pronësi të kompanisë, por tha se ishte marrë nën një kartë “bareboat” nga kompania ruse “Green Line”, e cila nuk ishte përcaktuar nën asnjë sanksion.

Sakaq kjo gazetë shtoi se ishte duke u konsultuar me palët e përfshira dhe do t’u përmbahej të gjitha sanksioneve dhe kufizimeve.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për vjedhjen e grurit nga territoret që forcat ruse kanë kapur që nga fillimi i pushtimit të saj në fund të shkurtit. Kremlini ka mohuar se Rusia ka vjedhur ndonjë drith ukrainas.

Ambasadori i Kievit në Ankara, Vasily Bodnar, tha në fillim të qershorit se blerësit turq ishin mes atyre që merrnin grurë që Rusia kishte vjedhur nga Ukraina, duke shtuar se ai kishte kërkuar ndihmën e Turqisë për të identifikuar dhe kapur individët përgjegjës për dërgesat e supozuara.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha muajin e kaluar se Ankaraja po hetonte pretendimet, por se hetimet nuk kishin gjetur ndonjë dërgesë të vjedhur deri më tani.

Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar Moskën për armatosje të furnizimeve ushqimore. Rusia thotë se minat ukrainase të hedhura në det dhe sanksionet ndërkombëtare ndaj Moskës janë: “fajtorë”.

Konflikti në Ukrainë ka nxitur një krizë globale ushqimore, duke bërë që Kombet e Bashkuara të paraqesin planin për të rihapur rrugët e transportit nga Odessa dhe portet e tjera të Ukrainës.

Turqia ka premtuar bashkëpunim në krijimin e një korridori të mbrojtur në Detin e Zi për të lejuar Ukrainën të eksportojë produktet e saj.

Kritikët kanë frikë se Rusia do të përfitojë nga korridori për të nisur një sulm në portin strategjik të Odessa-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore