Pajisje

Ukraina i beson Starlink-ut, por po kërkon edhe ofrues të tjerë


Paçka lëkundjes së muajit të kaluar, Ukraina i beson Elon Musk-ut që të vazhdojë të ofrojë akses në internet përmes sistemit satelitor Starlink të kompanisë së tij SpaceX.

Megjithatë, po kërkon edhe ofrues shtesë.

Ministri ukrainas Mykhailo Fedorov ka deklaruar se Ukraina kishte diskutuar drejtpërdrejt me Musk-un dhe ishte bindur se ai nuk do ta mbyllte shërbimin në Ukrainë.

Starlink-u “ka punuar, po punon dhe do të punojë patjetër në Ukrainë”, ka thënë ai.

“Elon Musk foli publikisht për këtë dhe ne patëm një bisedë me të për këtë, kështu që ne nuk shohim ndonjë problem në këtë drejtim”, ka shtuar Fedorov.

SpaceX-i e aktivizoi Starlink-un mbi Ukrainë pas pushtimit të Rusisë në shkurt.

Prej asaj kohe i ka ofruar Kievit me mijëra terminale, duke i lejuar ukrainasit të lidhen me internetin në vende jashtë mundësive të sistemit vendas të telekomunikacionit.

Dhe këto lidhje përdoren atje si nga civilët ashtu edhe nga ushtria e Ukrainës.

Musk shkroi muajin e kaluar në Twitter se SpaceX nuk mund të përballonte më ofrimin e shërbimit në Ukrainë për një kohë të pacaktuar.

Por u tërhoq nga deklarata e tij dy ditë më vonë, duke thënë se do të vazhdonte ta bënte këtë si një shembull i “veprave të mira”.

Megjithatë, qytetarë ukrainas u ankuan për ndërprerje në shërbimin e internetit pranë vijës së frontit.

Po ashtu Musk krijoi mospëlqim ndër ukrainas duke promovuar një plan paqeje sipas të cilit Ukraina do t’i jepte një pjesë të territorit Rusisë.

Sipas Fedorov, sulmet ruse që kishin rrëzuar 40 për qind të infrastrukturës energjetike të Ukrainës në tetor, kishin rritur rëndësinë e mirëmbajtjes së sistemeve të komunikimit.

“Komunikimi është me të vërtetë vendimtar. Ne jemi duke punuar për këtë çështje 24 orë në ditë. Rusia po godet infrastrukturat energjetike dhe ndonjëherë nuk kemi energji në shtëpi për tetë orë”, ka treguar ai.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore