Kosova

Ujdia për energjinë dhe dialogu, temat për cilat bisedoi Kurti me ambasadorët e QUINT-it


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe biseduan për zhvillimet politike në vend, por edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të zyrës për media të Qeverisë së Kosovës, në takim u bisedua për marrëveshjen për targat, që ka skaduar me 21 prill të këtij viti, si dhe për propozimin e Qeverisë së Kosovës për trajtimin e çështjes së targave.

“Po ashtu, u fol edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.  U theksua angazhimi i Qeverisë në zbatimin e udhërrëfyesit, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë nё komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, u potencua se me këtë marrëveshje, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të komunave në veri të Kosovës.

U diskutua për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat tjera të ndërlidhura.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore