Sport

UEFA miraton ndarjen e fondeve për ekipet e Euro 2024


Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi sot, 2 dhjetor, në Hamburg sistemin e shpërndarjes së parave për skuadrat pjesëmarrëse në turneun final të Kampionatit Evropian të Futbollit UEFA 2024 që do të luhet në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik.

Shuma për shpërndarjen për ekipet pjesëmarrëse konfirmohet në të njëjtin nivel si për UEFA Euro 2020, pra një total prej 331 milionë euro.

Kujtojmë se Shqipëria është një nga skuadrat pjesëmarrese në turneun që do të mbahet verën e ardhshme. Kuqezinjtë u kualifikuan pas një fushate të shkëlqyer në kualifikuese që i pa ata të përfundojnë në krye të grupit para ekipeve si Çekia apo Polonia.

UEFA ka miratuar sot se ekipeve pjesëmarrese do ju garantohen nga 9.25 milionë euro. Kësaj shume do i shtohen 1 milion euro për fitore dhe 500 mijë euro për barazim. Në fazën e grupeve janë tre ndeshje.

Kalimi në raundin e 1/16-ve do u siguronte ekipeve nga 1.5 milionë euro. Çerekfinalja do u sillte 2.5 milionë euro. Një kualifikim në gjysmefinale vlen 4 milionë euro.

Nënkampionët e Euro 2024 do të përfitojnë 5 milionë euro. Ndërsa ekipi që ngre trofeun merr 8 milionë euro.

Shuma maksimale që mund të arrijë skuadra kampione, nëse do të ketë fituar të tria ndeshjet e grupit, është 28.25 milionë euro.

Në mbledhjen e sotme, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi dhe disa ngjarje të tjera të rëndësishme për futbollin e femrave dhe atë të meshkujve.

Garat e UEFA-s për klube për femra

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi një format të ri për Champions League-n për femra, që përbëhet nga një fazë e ligës me 18 ekipe me tre ndeshje në shtëpi dhe tre jashtë, të ndjekura nga raundet e eliminimit, dhe krijimin e një kompeticioni të dytë evropian për klubet e femrave, me ndryshimet që hyjnë në fuqi që nga sezoni 2025-26.

Detajet e plota mbi formatin e garave, listën e aksesit dhe kalendarin do të shpallen në një komunikim të veçantë më 4 dhjetor.

UEFA Euro 2025 për femra

Orari i ndeshjeve dhe datat e turneut u miratuan, me tetë vende në të gjithë Zvicrën (Bazel, Bernë, Gjenevë, Luzern, Sion, St. Gallen, Thun dhe Cyrih), duke pritur ndeshjet nga 2 deri më 27 korrik 2025.

Ndeshja hapëse dhe finalja do të do të luhet në “St. Jakob-Park” në Bazel.

UEFA Futsal Euro për femra

Pas nisjes së përurimit të Kupës së Botës së Futsalit të FIFA-s për femra në vitin 2025, u vendos që të anulohej edicioni 2024-25 i Kampionatit Evropian të Futsalit për Femra UEFA dhe të zbatohej një cikël 4-vjeçar, me turneun e ardhshëm final në 2027.

Numri i ekipeve që do të marrin pjesë në turneun final do të rritet nga katër në tetë.

UEFA Nations League 2024-25

Procedura e shortit dhe e listës së ndeshjeve për Nations League 2024-25 u miratua, ndërsa shorti do të hidhet në Maison de la Mutualite në Paris më 8 shkurt 2024.

UEFA Futsal Euro 2026

Letonia dhe Lituania u caktuan si mikpritëse të turneut final të UEFA Futsal Euro 2026 me ndeshjet që do të zhvillohen në Riga dhe Kaunas.

Takimi i radhës

Takimi i radhës i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të zhvillohet në prag të Kongresit të 48-të të zakonshëm të UEFA-s në Paris më 7 shkurt 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore