Shqipëria

Udhëtimet nga Shqipëria drejt Italisë – nga nesër – veç për arsye esenciale


Ministria e Shëndetësisë në Itali, kundrejt situatës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ka marrë disa masa shtesë.

Duke filluar nga dita e nesërme, më 26 tetor, udhëtimet për turizëm nga Shqipëria drejt Italisë nuk do të lejohen.

Vendi fqinj ka mbyllur kufijtë “për udhëtime jo esenciale” me Shqipërinë, e cila është renditur në listën E të Italisë, duke u cilësuar si vend rreziku.

Ky vendim do të jetë i vlefshëm deri më 15 dhjetor 2021.

Karantinë 10-ditore dhe tampon

Një ndër masat që ka marrë Italia për të gjithë shtetasit nga Shqipëria që mund të udhëtojnë atje vetëm për arsye esenciale, janë: arsyet e punës, urgjencës, çështjet shëndetësore apo edhe rikthimi në banesën e rezidencës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë Italiane, personat që paraqiten në kufi duhet të tregojnë modulin Passenger Locator Form të përpiluar, tamponin negativ të kryer deri 72 orë më parë.

Pas mbërritjes në shtetin italian, udhëtarët duhet t’i nënshtrohen karantinës 10-ditore.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk ka kufizime të udhëtimeve.

Gjendja e COVID-19 në Itali

Javën e fundit, në Itali janë raportuar mesatarisht 3 mijë e 327 raste në ditë. Ato janë rritur me 27 për qind nga mesatarja e dy javëve më parë.

Nga ana tjetër, vdekjet janë rritur me 6 për qind.

Që nga fillimi i pandemisë – të paktën 1 në 13 banorë janë të infektuar – me gjithsej 4 milionë e 741 mijë e 185 raste të raportuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore