Lajme

Udhëheqësi i Hamasit: Asnjë shkëmbim të burgosurish para përfundimit të luftës


Shefi i Hamasit Ismail Haniyeh thotë se çështja e shkëmbimit të të burgosurve do të trajtohet vetëm pas përfundimit të luftës.

Në një deklaratë, udhëheqësi i grupit terrorist thotë se “palët që na kanë kontaktuar” duke ofruar ndërmjetësim për lirimin e pengjeve përmes një shkëmbimi të të burgosurve janë informuar për vendimin.

Haniyeh vlerëson gjithashtu qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë e banorëve të Gazës për të sakrifikuar veten për çështjen palestineze dhe thotë se “shkatërrimi” i kryer aktualisht nga ushtria izraelite në Gaza në sulmet hakmarrëse është një reflektim i “turpit të humbjes së saj”.

Sipas raporteve, numri i të vdekurve që kur Hamasi filloi sulmin e tij shkatërrues ndërkufitar të shtunën është rritur në mbi 900, me rreth 150 njerëz të rrëmbyer në Gaza.

Një zyrtar izraelit deklaroi një ditë më parë se “nuk ka negociata” për lirimin e pengjeve, duke iu përgjigjur një pretendimi të mëparshëm nga një burim i Hamasit se Izraeli kishte qenë në kontakt me Qatar-in si ndërmjetës.

Mohimi vinte pasi agjencia “Reuters” kishte konfirmuar raportimet e mëparshme nga agjencia kineze e lajmeve Xinhua, duke thënë se ndërmjetësit e Qatar-it kanë qenë në kontakt me zyrtarët e Hamasit në një përpjekje për të siguruar lirimin e grave dhe fëmijëve izraelitë të mbajtur në Gaza në këmbim të 36 grave dhe fëmijëve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Raporti i agjencisë britanike thotë se bisedimet po koordinohen me Shtetet e Bashkuara dhe po “ecin pozitivisht” megjithëse nuk ka shenja të një përparimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore