Lajme

“UÇK s’ishte strukturë e organizuar, por reagim i popullit ndaj shtypjes”


Në një dokumentar të punuar nga Albanian Post dhe emisioni Opinion i titulluar “Devijimi Special”, ekspertë kushtetues dhe gazetarë kanë komentuar përdorimin e doktrinës “Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët”, me të cilën Prokuroria Specialen në Hagë akuzon figurat e larta të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ata thonë se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar mirë, por një reagim i popullit ndaj shtypjes nga Serbia.

Sipas tyre, me një gjykim të drejtë, kjo akuzë do të duhej të hidhej poshtë.

Gazetari Blendi Fevziu, shprehet se ideja për të krijuar një linjë komandimi të kriminalizuar të UÇK-së, sipas tij, është e gabuar dhe do të dështojë edhe juridikisht.

“Nuk ka qenë UÇK-ja kaq strukturë e mirë-organizuar kur linja e komandimit funksiononte nga maja deri në bazën e piramidës. UÇK-ja ka qenë reagimi i një populli ndaj dhunës dhe ndaj shtypjes ndaj tij, ndaj krimeve ndaj tij, ka qenë një reagim i çdo zone”, thotë ai.

Por, avokati Artan Qerkini, duke folur në dokumentarin “Devijimi Special”, thotë se Prokurorisë së Gjykatës Speciale i konvenon përdorimi i termit “Ndërmarrje e Kriminale e Përbashkët”.

“Nëse i shikojmë aktakuzat, sidomos ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria po mundohet që ta afirmojë këtë formë të përgjegjësisë penale dhe kjo i konvenon Prokurorisë, sepse është një përgjegjësi jashtëzakonisht e zgjeruar. Dhe, nëse e merr për bazë këtë formë të përgjegjësisë, ajo e ka shumë më lehtë që t’i ngarkojë me përgjegjësi penale të akuzuarit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore