Kosova

U shkel Marrëveshja e Brukselit/Ohrit – “BE duhet t’i pezullojë kapitujt me Serbinë”


Me votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke lobuar te shtetet tjera për të penguar votimin në Komitetin e ministrave të KiE-së, Serbia zyrtarisht të hënën e 24 prillit e ka shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Në Nenin 4 në të Marrëveshjes Serbia zotohet se nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe të hënën bëri pikërisht të kundërtën.

Votat kundër të Hungarisë, Spanjës dhe Rumanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, sipas ish-ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinajt, kanë ardhur pikërisht pas lobimit të shtetit serb.

“Këto shtete nuk janë lëkundur fare nga qëndrimi i tyre rigid mosnjohës duke respektuar kërkesën e Serbisë për ‘integritetin dhe sovranitetin e Serbisë’”, tha Haradinaj për Albanain Post.

Meliza Haradinaj

Por, sipas ish-kryediplomates, “kjo nuk është e tëra”, pasi Serbia jo shumë kohë para se të nënshkruhej Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, u dërgoi letra zyrtare shteteve të BE-së për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe asnjëherë nuk u tërhoq formalisht nga kërkesat e saj parashtruar në ato letra.

“E kam paralajmëruar që në ditën e parë kur është publikuar teksti i marrëveshjes se mungesa e një pike të veçantë që obligon Serbinë të mos lobojë kundër pavarësisë së Kosovës, do të jetë pikë e dobët në implementim për të mos thënë dështim”, shtoi ajo.

Për Haradinajn, meqë në planin e zbatimit specifikohet sanksionimi eventual i të dyja palëve në rast moszbatimi apo shkeljeje, atëherë është e qartë që shkelja që ka bërë Serbia dje do të duhej të reflektohet automatikisht në proceset e saj integruese drejt BE-së.

“BE do të duhet të pezullojë hapjen dhe mbylljen e kapitujve për Serbinë derisa ajo nuk i nderon obligimet e saj kontraktuale që i ka marrë përsipër me marrëveshje. Kosova po ashtu duhet të angazhohet më tepër në aspektin diplomatik, për të vazhduar diskutimet me shtetet mosnjohjese të BE-së të cilat edhe vetë e kanë votuar unanimisht planin franko-gjerman (evropian) në dhjetor të vitit të kaluar në Këshillin e Ministrave”, thotë ajo.

Prandaj ajo vuri në pah se është “momenti ideal” që konstruktiviteti i Kosovës në Marrëveshjen e Brukselit dhe shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të shfrytëzohen maksimalisht në veprimin diplomatik në favor të Republikës së Kosovës.

Edhe profesori i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, nuk e ka asnjë dyshim se Serbia e shkeli marrëveshjen e Brukselit.

Madje, Hoxha sqaron se këtë e kishte paralajmëruar disa herë vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke thënë se marrëveshje nuk është e obligueshme dhe ai nuk ka në plan ta zbatojë.

“Bile, ai ka satirizuar e ironizuar këtë veprim, prandaj nuk pritet ndonjë respektim i kësaj marrëveshje”, theksoi Hoxha për Albanain Post.

Abit Hoxha

Ai ngre alarmimin se “Serbia do të vazhdojw me avazin e vjetër”, meqë sipas tij, “marrëveshja e Ohrit është fitore diplomatike e Serbisë” pasi që tanimë nuk është në tavolinë njohja e ndërsjellë.

“Serbia duket të ketë lëvizur nga pozicioni ndaj Kosovës por në fakt, ajo vetëm se e ka fortifikuar pozitën e saj edhe me veprimet e fundit të veri të vendit, pra me zgjedhjet që janë bojkotuar nga Serbët nën instruksion nga Beogradi”, shtoi Hoxha.

Kur pyetet për “shkopinjtë eventual ndaj Serbisë” nga BE-ja, Hoxha thekson se është e vetëkuptueshme se pala që ndërmjetëson negociatat për marrëveshje ka edhe tagrin për të qortuar palët për moszbatimin e marrëveshjes.

Por sipas tij, “Bashkimi Evropian edhe në pozitën e vet si garantues i paqes në rajon përmes procesit të integrimit, pranisë fizike në Kosovë apo Serbi duhet të bëj me dije lidershipit serb se mosrespektimi i marrëveshjes ka konsekuenca”.

“Deri më tani, si duket qëllimi vis-à-vis Serbisë është tjetër dhe Kosova është kolaterali negociues që Serbia të largohet nga trasea e politikës përkrahëse ndaj Rusisë”.

Ndërsa analisti politik Agon Maliqin, mendon se përveç votës në Këshillin e Evropës, Vuçiç edhe retorikisht po e mohon idenë se marrëveshja është e vlefshme pa ndëshkim.

“Nuk dihet se cilat mund të jenë masat ndëshkuese ndaj Serbisë. Rruga e saj integruese drejt BE ashtu kështu ka stagnuar prej vitesh”, tha ai për AP.

Sipas tij, ky është edhe problemi i marrëveshjes, sepse i ka mekanizmat detyrues të zbehtë.

“Shqetësues mbetet edhe mungesa e qortimit qoftë edhe retorik. Sidoqoftë, mendoj se insistimi i Kosovës se Serbia po e shkel marrëveshjen tani do ta drejtojë presionin drejt Kosovës në lidhje me Asociacionin, sepse këtë çështje Serbia po e përdor si pretekst për moszbatim nga ana e saj”.

Agon Maliqi

“Vota e Serbisë kundër Kosovës”, Stano thotë për AP se BE-ja është në dijeni

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar për AP se autoritetet evropiane të Brukselit janë në dijeni të faktit se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

I pyetur nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Stano refuzoi t’i përgjigjej.

Të hënën, nga 46 shtete të cilat votuan në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës për të marrë vendimin që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës, 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia votuan pro, ndërsa 12 prej tyre kundër apo abstenim.

Sipas të dhënave që janë bërë publike Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnjë dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Ky rezultat tregon se me më shumë se 2/3 e votave kanë qenë pozitive për të kaluar Kosova këtë fazë të procesit të gjatë të anëtarësimit në KiE.

“Vota e Serbisë kundër Kosovës”, Stano thotë se BE-ja është në dijeni

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore