Aplikacione

Twitter-i lancon algoritmin e përmirësuar të reklamave në nxitje të tregtisë elektronike


Platforma Twitter ka prezantuar veçori të reja të reklamave dhe ka rishikuar algoritmin që vendos se cilat reklama do të shikojnë përdoruesit.

Kjo, si pjesë e një përpjekjeje për të hedhur themelet për të nisur tiparet e ardhshme të tregtisë elektronike.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se karakteristikat e reja vijnë teksa Twitter-i po nxit rritjen e biznesit të reklamave, si një strategji që synon të gjenerojë shpejt shitje.

Ndërkaq, përpjekja e ndërmarrë mund të ndihmojë Twitter-in të arrijë qëllimin e tij të dyfishimit të të ardhurave vjetore deri në vitin 2023.

Kompania është duke u pozicionuar që të lejojë markat të shesin produkte përmes shërbimit, duke përmirësuar aftësinë për t’u treguar përdoruesve reklama të synuara dhe duke rritur gjasat që ata të klikojnë reklamën.

“Reklamat e performancës janë një mundësi shumë e madhe…kjo është relativisht e pashfrytëzuar për ne”, ka zbuluar Kamara Benjamin, menaxhere e grupit të produkteve në Twitter.

“Në fund të fundit, kjo do të çojë njerëzit të instalojnë aplikacione, të vizitojnë faqe interneti dhe të gjejnë produkte që plotësojnë nevojat e tyre”, ka vijuar ajo.

Kompania ka bërë me dije se reklamat që promovojnë shkarkime për lojëra celulare dhe aplikacione të tjera, tanimë do t’i lejojnë përdoruesit të fillojnë shkarkimin pa lënë aplikacionin Twitter.

Më parë, përdoruesit duhej të linin aplikacionin për të shkarkuar aplikacione të tjera.

Kompania ka shtuar gjithashtu se është duke punuar në mjete të reja për të lejuar shfaqjen e reklamave për të gjetur klientë që kanë më shumë gjasa të bëjnë blerje përmes aplikacionit.

Lidhur me reklamat e produkteve, ato mund t’i dërgojnë përdoruesit në faqe të ndryshme interneti kur klikojnë në reklamë.

Kjo rrit numrin e klikimeve me 25 për qind në fushatat reklamuese që vendosin një qëllim për të nxitur vizitat në faqen e internetit.

“Reuters” shkruan se Twitter-i ka përmirësuar edhe algoritmin e reklamimit, duke i treguar reklamat në një grup më të madh njerëzish në fillim të fushatës.

Kjo, në mënyrë që të vlerësojë më mirë interesin e përdoruesve, ka vlerësuar Benjamin.

Sipas kompanisë, këto përmirësime të algoritmit çuan në një rritje prej 36 për qind të fushatave reklamuese që arritën të paktën pesë shkarkime gjatë periudhës kohore që reklama u shfaq në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore