Aplikacione

Twitter-i dhe gjuha e urrejtjes: Cilat janë provat?


Gjatë intervistës së Elon Musk për median britanike “BBC”, ndër temat e diskutuara ishte përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimit në Twitter.

Ai i kërkoi gazetarit James Clayton shembuj specifikë të përmbajtjes së gjuhës së urrejtjes në platformë dhe kur ai nuk mundi të identifikonte mesazhe individuale, Musk iu përgjigj se nuk dinte për çka po fliste.

“Ju thjesht gënjeni”, përforcoi idenë e tij Musk.

Çka ka shkaktuar kritika të forta në Twitter, kryesisht nga llogari të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë.

Ka studime të thelluara dhe prova që sugjerojnë se gjuha e urrejtjes është rritur gjatë mandatit të Musk.

Janë rikthyer disa personazhe të skajshme që ishin të ndaluara nën menaxhimin e mëparshëm.

Ata përfshijnë Andrew Anglin, themeluesin e faqes së internetit neo-naziste Daily Stormer dhe Liz Crokin, një nga përhapësit më të mëdhenj të teorisë së konspiracionit QAnon.

Përdorues të tjerë më pak të njohur të Twitter kanë përfituar nga pronësia e re.

Një llogari me një fyerje racore në emrin e saj të përdoruesit ishte në gjendje të merrte shenjën verifikuese blu. Një tjetër u ble nga një neo-nazist, i cili poston video të tij në Twitter duke recituar autobiografinë e Hitlerit.

Tweete-t antisemitike u dyfishuan nga qershori 2022 deri në shkurt 2023, sipas hulumtimit nga Instituti i Dialogut Strategjik (ISD).

Po i njëjti studim zbuloi se heqjet e përmbajtjeve të tilla gjithashtu u rritën, por jo aq sa për të mbajtur ritmin me rritjen.

ISD gjeti gjithashtu një rritje prej gati 70 për qind në llogaritë e Shtetit Islamik – një problem që dikur ishte i madh në Twitter, por ishte reduktuar në një rrjedhë nga ndalimet e llogarive.

Qendra Kundër Urrejtjes Digjitale, një grup fushatash me bazë në Londër, zbuloi se ofendimet u rritën ndjeshëm pas marrjes së platformës nga Musk.

Edhe raportimet e vet “BBC”-së ofrojnë disa të dhëna.

“BBC”-ja ka analizuar mbi 1 mijë e 100 llogari të ndaluara më parë në Twitter, të cilat u rivendosën nën drejtimin e Musk.

Madje, një e treta duket se ka shkelur udhëzimet e vetë Twitter-it.

Po ashtu përmbajtjet me vizatime që tregojnë abuzimin seksual të fëmijëve kanë qenë një plagë në Twitter për vite me radhë përpara se Musk të merrte platformën.

Por një hetim i “BBC”-së ka mësuar nga persona të brendshëm në Twitter, të cilët shprehën shqetësimin se kompania nuk është më në gjendje të mbrojë përdoruesit nga trollet, dezinformimi i koordinuar nga shteti dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore