Aplikacione

Twitter-i bën të vetin Scroll-in


Media sociale, Twitter, ka njoftuar se ka blerë një produkt të leximit të lajmeve pa reklama të quajtur Scroll dhe se po pret të tërheqë shërbimin në një ofertë të re abonimi.

Agjencia e lajmeve, Bloomberg, tregon se Scroll punon me një sërë botuesish ku përfshihen BuzzFeed News, Atlantic dhe USA Today duke ofruar histori të tyre për klientët që paguajnë.

Ndërkohë, në to nuk shfaqen reklama dhe Scroll-i ndan disa nga të ardhurat e pajtimeve me vetë botuesit.

Në një postim në blog, Twitter-i ka bërë me dije se Scroll-i do të ndalojë përkohësisht abonentët e rinj teksa ekipi i saj prej 13 personash të bashkohet me kompaninë e medias sociale.

Twitter-i e ka shprehur në mënyrë publike interesin në shitjen e një produkti pajtimi dhe për këtë është deklaruar se po shqyrton një numër opsionesh.

Lidhur me kushtet e marrëveshjes, ende nuk është zbuluar ndonjë detaj.

Zyrat e Scroll-it gjenden në New York dhe Portland dhe një investitorët që e mbështesin është edhe Union Square Ventures.

Kjo nuk është blerja e vetme e kompanisë me qendër në San Francisko. Kohët e fundit, Twitter-i ka blerë edhe Revue-në., një startup gazete, me planet për të fituar të ardhura nga pajtimet.

Parashikimi i Twitter-it është që të dyja produktet të punojnë së bashku. Kështu, përdoruesit mund të paguajnë një ditë për të lexuar gazetat apo historitë e botuesve të ndryshëm drejtpërdrejt nga platforma pa shfaqjen e ndonjë reklame.

“Për çdo platformë tjetër, gazetaria është e disponueshme”, ka shkruar në një postim në blog shefi ekzekutiv i Scroll-it, Tony Haile duke shtuar se “nëse gazetaria do të zhdukej nesër, biznesi i tyre do të vazhdonte si më parë”.

Ai ka vazhduar se “Twitter-i është e vetmja platformë e madhe, suksesi i së cilës është ndërthurur thellë me një ekosistem të qëndrueshëm të gazetarisë”.

Sipas Bloomberg, kjo lëvizje e Twitter-it është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të zgjeruar biznesin jashtë reklamës digjitale, e cila përbën pjesën më të madhe të të ardhurave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore