Aplikacione

Twitter-i akuzohet për ‘mosveprim’ në heqjen e përmbajtjes antisemitike


Një organizatë që është në partneritet me median sociale, Twitter, për të luftuar antisemitizmin në platformë e ka akuzuar atë për “mosveprim”.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se organizata e quajtur “Fushata Kundër Antisemitizmit” ka pohuar se politikat e ndjekura nga Twitter-i mbi gjuhën e urrejtës po “dështojnë”.

Kjo pasi nga afro një mijë tweet-e antisemitike të raportuara prej saj, Twitter-i ka zbuluar se vetëm 40 për qind e tyre kishin shkelur politikat e platformës.

Sipas Twitter-it, antisemitizmi shkel rregullat e tij dhe nuk lejohet në platformë.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që platforma akuzohet se tregohet shumë e ngadaltë në heqjen e postimeve antisemitike.

‘Ndërpret kontaktin’

Një prej tyre ka qenë ajo e vitit të kaluar kur kompania u përball me akuza se nuk kishte vepruar aq shpejt sa të fshinte tweet-et antisemitike të postuara nga artistja britanike Wiley paçka se ajo vetë më vonë kërkoi falje për to.

Asokohe, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit deklaroi se Boris Johnson besonte se Twitter-i “duhej të bënte më shumë”, duke shtuar se “kompanitë e mediave sociale duhet të shkojnë më tej dhe më shpejt për të hequr përmbajtje si kjo”.

Kështu që pas këtij incidenti Twitter-i ftoi “Fushatën Kundër Antisemitizmit” (CAA) për t’u bërë një “partnere në Twitter” dhe duke e lejuar atë të raportojë tweet-e problematike te stafi i saj drejtpërdrejt përmes “portalit partner” të kompanisë.

Ama organizata nuk është e kënaqur me punën e bërë nga Twitter-i. Madje, pretendon se materiali me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes është ende i përhapur dhe nuk është hequr.

“BBC” tregon se në muajin dhjetor, organizata zbuloi tweet-e antisemitike që lavdëronin Hitlerin, duke e quajtur holokaustin një mashtrim dhe duke akuzuar hebrenjtë për kontrollin e qeverisë.

Nga ana tjetër, Twitter-i ka deklaruar se shumica e këtyre llogarive ishin pezulluar për thyerjen e rregullave të vetë platformës.

Sipas organizatës, nga 239 tweet-e të paraqitura te kompania në dhjetor të vitit 2020, vetëm 43 prej tyre u gjetën që shkelnin rregullat e Twitter-it. Gjithashtu kanë thënë se kishte pak ndryshim midis tweet-eve që ishin të lejuara dhe atyre që ishin të ndaluara.

CAA-ja ka pretenduar edhe se një seri e premtuar e takimeve mujore me Twitter-in për të diskutuar antisemitizmin u anulua pas vetëm një diskutimi dhe se firma kishte “ndërprerë kontaktet”.

Stephen Silverman nga CAA-ja ka thënë se “nëse Twitter-i na ka sjellë si partner si një lloj gjethe fiku për mosveprimin e saj, ne tani po japim pamjen e vërtetë të kompanisë”.

Ai ka shtuar se “është e qartë se kompania nuk është as e aftë dhe as e interesuar për të trajtuar antisemitizmin dhe ajo tani duhet t’i nënshtrohet një rregullatori të pavarur për të marrë atë rol në vend”.

Politikat e reja

Edhe pse Twitter-i nuk pranoi të komentonte drejtpërdrejt në lidhje me pretendimet e organizatës, ai tha se: abuzimi në internet, duke përfshirë atë antisemitik, është kundër rregullave të Twitter-it dhe nuk lejohet në platformë

Kështu, ka zgjeruar përkufizimin e saj të gjuhës dehumanizuese dhe ka shtuar politika të reja për t’u marrë me tweet-et që nxisin ngacmime ose diskriminime ndaj grupeve të mbrojtura nga legjislacioni i barazisë.

Twitter-i po vepron gjithashtu në mënyrë më agresive për të hequr postimet që mohojnë ngjarje të dhunshme të tilla si gjenocidi ose të shtënat masive, ose tweet-et abuzive që referojnë ngjarje të dhunshme kundër grupeve të mbrojtura nga legjislacioni i barazisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore