Tregjet

Turqia zbulon skemën e valutës së huaj për të mbështetur lirën


Turqia ka shpalosur një skemë të re për t’i shtyrë eksportuesit të blejnë më pak në valutë të huaj.

Kjo vjen teksa qeveria e Recep Tayyip Erdoğan rrit betejën për të mbrojtur lirën përpara zgjedhjeve të këtij viti.

Kështu, vendi do t’u ofrojë kompanive stimuj të rinj për të shkëmbyer paratë që fitojnë jashtë vendit në lira në këmbim të një zotimi për të mos blerë monedha të huaja.

Programi i ri është shenja më e fundit se si Turqia po përdor një gamë të gjerë mjetesh për të mbështetur lirën dhe për të rritur ekonominë e saj prej 800 miliardë dollarësh përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vendosura për në 14 maj.

Masa vjen pasi sondazhet tregojnë se shqetësimi për trajtimin e qeverisë e ekonomisë ka gërryer mbështetjen për Erdogan-in, presidentin dhe partinë e tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

Referuar programit, Turqia do të sigurojë dy për qind “mbështetje konvertimi” kur kompanitë shkëmbejnë fitimet ndërkombëtare në lira me bankën qendrore dhe kur zotohen të mos blejnë valuta të huaja gjatë një periudhe të caktuar.

Sakaq, nuk ka specifikime mbi kohëzgjatjen e angazhimit që do të kërkohet.

Tanimë, eksportuesve u kërkohej të konvertonin 40 për qind të të ardhurave të tyre në valutë të huaj në lira sipas rregullave të shpallura vitin e kaluar.

Por programi i ri ofron një nxitje për kompanitë që të shmangin stabilitetin e mbajtjes së dollarëve në favor të lirës.

Po ashtu kompanitë që konvertojnë fonde shtesë në monedhën vendase mund të përdorin një llogari të veçantë për t’u mbrojtur nga luhatjet e lirës.

Ekonomisti Liam Peach ka thënë se “nuk ishte e qartë nëse kjo do të ketë një ndikim të rëndësishëm pasi stimujt mund të mos jenë mjaftueshëm të mëdhenj që firmat të konvertojnë të ardhurat e tyre të mbetura në valutë të huaj në lira”.

Mirëpo, mund të përfaqësojë “një hap të parë drejt kufizimeve më të forta që detyrojnë konvertimin e valutës së huaj të firmave”.

“Nëse kemi mësuar ndonjë gjë në Turqi gjatë vitit të kaluar, është se banka qendrore përfundimisht do të mbyllë çdo vrimë në sistemin financiar për të reduktuar kërkesën për valutë të huaj”, ka dalluar ai.

Banka qendrore po kërkon të rrisë përqindjen e depozitave në lira në sistemin bankar në 60 për qind në gjysmën e parë të këtij viti.

Lira ra thuajse 30 për qind në një nivel të ulët rekord në vitin 2022 pasi banka qendrore nominalisht e pavarur, e cila kontrollohet efektivisht nga Erdogan, uli normat e interesit edhe pse inflacioni arriti kulmin prej 85.5 për qind në tetor.

Turqia ka shpenzuar 85.5 miliardë dollarë vitin e kaluar duke ndërhyrë në tregun e monedhës në një përpjekje për të ngadalësuar rënien e lirës.

Banka qendrore priste që inflacioni të binte në 22.3 për qind deri në fund të vitit, pasi ai u zbut në 64.3 për qind në dhjetor.

Megjithatë, shumë ekonomistë privatë shqetësohen se rritja e çmimeve do të përshpejtohet sërish pas zgjedhjeve, pasi shpenzimet qeveritare të tepruara nxitin një tronditje afatshkurtër, por të fuqishme të aktivitetit ekonomik.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore