Lajme

Turqia thërret nëntë ambasadorë perëndimorë për alarmet e sigurisë


Autoritetet turke thirrën të enjten ambasadorët e nëntë vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Suedinë.

Këto, për të kritikuar vendimet e tyre për të mbyllur përkohësisht misionet diplomatike dhe për të dhënë alarme sigurie pas incidenteve të djegies së Kuranit në Evropë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Të dërguarit e Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Zvicrës dhe Britanisë u thirrën gjithashtu, sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme në Ankara.

Gjatë dy javëve të fundit, aktivistët e ekstremit të djathtë dogjën kopje të librit të shenjtë mysliman, Kuranit, në Suedi, Danimarkë dhe Holandë, akte që e shtynë Turqinë të ndalonte negociatat që synonin të hiqnin kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Vendet evropiane i kanë denoncuar incidentet, por disa thonë se nuk mund t’i parandalojnë për shkak të rregullave të fjalës së lirë.

Gjatë javës së kaluar, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara ishin ndër ata që lëshuan paralajmërime për qytetarët e tyre për një rrezik në rritje të sulmeve në Turqi, veçanërisht kundër misioneve diplomatike dhe objekteve jomuslimane të adhurimit.

Gjermania, Franca dhe Holanda ishin ndër vendet që mbyllën përkohësisht misionet diplomatike në Turqi për arsye sigurie këtë javë.

Disa përmendën zonat qendrore të Stambollit me shqetësim të madh, por nuk dhanë burimin e informacionit.

“Aktivitete të tilla të njëkohshme nuk përbëjnë një qasje proporcionale dhe të arsyeshme dhe… i shërbejnë vetëm agjendës së fshehtë të organizatave terroriste”, tha një burim i ministrisë së jashtme për “Reuters”, i cili kërkoi të mos identifikohej më tej.

Burimi shtoi se siguria e të gjitha misioneve diplomatike është e garantuar në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe “aleatët duhet të bashkëpunojnë” me autoritetet turke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore