Turqia kërkon ekstradimin e 33 terroristëve nga Suedia dhe Finlanda

SHFLETO
Vitjon Nina
29.06.2022 11:30
Loading Icons...

Nuk ka më asnjë dyshim: pas marrëveshjes me Suedinë dhe Finlandën për anëtarësimin në NATO, Turqia ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e 33 eksponentëve të shpallur terroristë nga Ankaraja, sipas Ministrisë së Drejtësisë turke.

Lajmin e ka bërë të ditur Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, duke cituar vetë burimet nga Ministria turke.

Një fakt të tillë nuk e ka mohuar as kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, e cila tha se, pavarësisht se vendi i saj nuk ka lëshuar shumë pe ndaj Turqisë, mbi çështje ekstradimesh kishte pasur ujdi.

Kërkesa e Turqisë, me gjasë, lidhet me eksponentë të Partisë së Punës Kurde (PKK), e cila është shpallur si organizatë terroriste nga Ankaraja dhe Komuniteti Evropian.

Gjatë ditës së parë në Samitin e NATO-s në Madrid, më 28 qershor, kryelajmi i ditës ishte pikërisht marrëveshja që Turqia arriti me Suedinë dhe Finlandën, për të hapur rrugën e anëtarësimit të dy vendeve nordike në aleancën e Atlantikut të Veriut.

Menjëherë më pas, filluan të qarkullonin lajmet se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e kishte marrë atë çfarë donte nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Kështu, u nënkuptua fillimisht se shtrëngim duarsh për çështjen e eksponentëve të PKK-së kishte dhe një lëvizje e shpejtë pritej në këtë drejtim.

Tashmë, vetëm disa orë pas memorandumin trepalësh, dalin edhe detajet e para, ku kërkesa fillestare është ajo për 33 persona, të shpallur terroristë në Turqi.