Lajme

Turqia e grushteve të shtetit


Ushtria ka ndërhyrë në politikën turke shpesh-herë, por në vitin 1997 u arrit të kryhej një grusht shteti post-modern. Kenan Evren, ish-presidenti turk tani po përballet me akuzat në një gjykatë të Ankarasë.

Ai është rasti i fundit në një radhë të gjatë oficerësh ushtarakë që kërkuan të merrnin pushtetin me anë të një grushti shteti.

Ushtria prej kohësh e ka parë veten si “roje e demokracisë turke”, të cilën ajo e përcakton si shtet laik të krijuar nga Mustafa Kemal Ataturk, themeluesi i republikës moderne turke.

Grushti i parë i shtetit në republikën turke ka ndodhur në vitin 1960-ën, gjatë një kohe tensionesh në rritje midis qeverisë turke dhe opozitës.

Partia Demokratike në pushtet, e kryesuar nga kryeministri, Adnan Menderes, dhe presidenti, Celal Bayar, filluan të lehtësonin disa nga rregullat më të ashpra të epokës Ataturk, që kishin të bëjnë me fenë.

Ajo lejoi mijëra xhami të rihapen, legalizoi ezanin në arabisht në vend të turqishtes, dhe hapi shkolla të reja për personelin fetar, ndër të tjera.

Në të njëjtën kohë, ajo tjetërsoi më tej opozitën duke vendosur ligje të reja shtrënguese për shtypin dhe herë pas here duke ndaluar botimin e gazetave kritike.

Tensionet në rritje bënë që qeveria e Menderes-it të vendoste ligjin ushtarak në fillim të vitit 1960. Ushtria ndërhyri dhe rrëzoi qeverinë më 27 maj, ku presidenti, kryeministri dhe disa anëtarë të kabinetit u arrestuan dhe u gjykuan për tradhti dhe vepra të tjera.

Menderes u ekzekutua. Gjenerali, Cemal Gursel mori pushtetin – si president dhe kryeministër – duke filluar një periudhë të politikës së dominuar nga ushtria që do të zgjaste deri në 1965.

Grushti i shtetit më 1971

Ekonomia turke ngeci në fund të viteve 1960 dhe recesioni shkaktoi trazira në të gjithë vendin.

Grupet e punëtorëve organizuan demonstrata, nganjëherë të dhunshme dhe grupet e krahut të djathtë kryen sulme të tyre. Monedha u zhvlerësua dhe inflacioni vjetor arriti në afro 80 %.

Kështu që në mars ushtria ndërhyri edhe një herë, një përpjekje për të “rivendosur rendin”.  Memduh Tagmac, shefi i shtabit të përgjithshëm, i dha një memorandum kryeministrit, Suleyman Demirel.

Aty akuzohej qeveria për shtyrjen e vendit në anarki dhe kërkoi formimin e një “qeverie të fortë dhe të besueshme, të frymëzuar nga pikëpamjet e Ataturkut”.

Demirel dha dorëheqjen disa orë më vonë, pasi u takua me kabinetin e tij. Ushtria nuk sundoi drejtpërdrejt gjatë kësaj periudhe.

Së pari i kërkoi Nihat Erim-it, një anëtar i Partisë Popullore Republikane e krahut të djathtë, të formonte një qeveri të përkohshme. Paqëndrueshmëria vazhdoi edhe pas grushtit të shtetit në 1971-in.

Grushti i shtetit më 1980

Turqia ndryshoi kryeministrat 11 herë në vitet 1970, ekonomia vazhdoi të ishte në recension dhe grupet e majta e të djathta vazhduan përplasjet e tyre të dhunshme në rrugë. Mijëra njerëz u vranë.

Ushtria filloi të diskutonte për një grusht shteti të mundshëm në fund të vitit 1979, dhe në mars të 1980-ës një grup gjeneralësh rekomanduan që ata të ecnin përpara.

Përpjekjet nisën në shtator, kur oficerët njoftuan në televizionin shtetëror se po vendosnin ligj ushtarak dhe po shpërndanin qeverinë.

Evren u bë president dhe një oficer i marinës, Bulent Ulusu, mori postin e kryeministrit. Këto vite të sundimit ushtarak i sollën një farë stabiliteti Turqisë.

Ulusu-i u pasua në 1983 nga Turgut Ozal, i cili tani është kredituar gjerësisht për stabilizimin e ekonomisë turke duke privatizuar shumë industri në pronësi të shtetit. Inflacioni ra dhe punësimi u rrit.

Ushtria arrestoi gjithashtu qindra mijëra njerëz; dhjetëra u ekzekutuan, ndërsa shumë të tjerë u torturuan ose thjesht u zhdukën.

Një kushtetutë e re u hartua dhe u vu para një referendumi publik në 1982; u miratua me shumicë dërrmuese.

Grushti i shtetit më 1997

Zgjedhjet e vitit 1995 çuan në fitoren për partinë Islamike të Mirëqenies, e cila mori pushtetin vitin e ardhshëm si kreu i një qeverie të koalicionit.

Në 1997 ushtria lëshoi një seri “rekomandimesh”, të cilat qeveria nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte.

Kryeministri, Necmettin Erbakan, ra dakord për një program të detyrueshëm arsimor tetë-vjeçar (për të parandaluar regjistrimin e nxënësve në shkolla fetare), një ndalim të shamisë në universitete dhe masa të tjera.

Erbakan u detyrua të jepte dorëheqjen. Partia e Mirëqenies u zhduk në 1998 dhe Erbakan u ndalua nga politika për pesë vjet.

Disa ish-anëtarë të partisë, përfshirë kryeministrin aktual, Recep Tayyip Erdoğan, përfundimisht do të vazhdonin të themelonin Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore