Lajme

Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mund të humbasin aksesin në tregun amerikan


Zëvendës Sekretari i Thesarit Amerikan, Brian Nelson, do të paralajmërojë vendet dhe kompanitë në një udhëtim në Turqi dhe Lindjen e Mesme javën e ardhshme se mund të humbasin aksesin në tregun e SHBA-ve nëse bëjnë biznes me entitete që i nënshtrohen sanksioneve të autoriteteve amerikane.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

“Brian Nelson, nënsekretar për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, do të vizitojë Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë nga 29 janari deri më 3 shkurt, ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë, si dhe me institucione biznesi dhe financiare, për të riafirmuar se Washington-i do të vazhdojnë të zbatojnë në mënyrë agresive sanksionet e tyre”, thekson agjencia.

Ndërsa është në rajon, Nelson do të diskutojë përpjekjet e Thesarit të SHBA-ve për të kundërshtuar përpjekjet e Rusisë për të anashkaluar sanksionet dhe kontrollet e eksporteve të vendosura për luftën e saj brutale kundër Ukrainës, aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajon, rreziqet e paligjshme financiare që minojnë rritjen ekonomike dhe investimet e huaja.

Vizita e një zyrtari të lartë të Thesarit Amerikan në Turqi për të diskutuar sanksionet pason një seri paralajmërimesh nga zyrtarë të qeverisë amerikane vitin e kaluar, ndërsa Washington-i rriti presionin ndaj Ankarasë për të respektuar kufizimet amerikane ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore