Lajme

Turqi-Iran dhe muri që garanton sigurinë


Për të garantuar sigurinë në kufirin midis Turqisë dhe Iranit, një mur 295 kilometra i gjatë është në ndërtim e sipër. Shpresa e madhe e turqve është se ky mur, do të arrijë të ndalojë trafikimin dhe kontrabandën drejt Iranit apo nga Irani.

Shqetësim i madh për Ankaranë janë edhe terroristët, që arrijnë të infiltrohen nëpërmjet kufirit të pambrojtur.

Për shkak edhe të valës së lartë të migrimit, prani e shtuar ushtarake është kërkuar në këtë zonë. Janë 35 ekipe operacionale që veprojnë në kufi dhe 50 mjete të armatosura në zonat përreth për të asistuar trupat turke.

Themele prej katër metrash janë gërmuar e derdhur për ndërtimin e murit. Pjesa e sipërme do të jetë e tëra me tel, për të parandaluar ngjitjen e personave.

Deri në fund të vitit, mendohet se do të jenë përfunduar 64 kilometrat e para. 63 të tjera janë në pritje të tenderit fitues. Gjithsesi shpresat janë se brenda fundit të vitit, pjesa më e madhe e punës do të ketë mbaruar.

58 kulla vrojtimi dhe 45 komunikimi, do të jenë pjesë e murit. Ndër pajisjet që do të përdoren, do të jenë kamerat termale, radarët, sensorë dhe sisteme të kontrollit të zjarrit.

Rreth 105 mijë migrantë të jashtëligjshëm janë pikasur në kufirin Turqi-Iran vetëm vitin e fundit. Ndaj, ruajtja e tij 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, 365 ditë në vit, është e domosdoshme sipas autoriteteve turke.

Ndërkohë vetëm në gjysmën e parë të 2021-shit, janë ndaluar 55 mijë migrantë të jashtëligjshëm. Prej tyre, 300 janë arrestuar për dyshime mbi terrorizëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore