Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në një intervistë për mediumin kroat, N1, ka bërë të ditur se institucioni të cilën ajo e udhëheq mbështet liberalizimin e vizave për kosovarët.
Sipas saj është turp që disa vende trajtohen ndryshe nga të tjerët duke aluduar kështu për Kosovën, për të cilën Komisioni Evropian qysh nga viti 2018, kishte konfirmuar se e njëjta ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë. Megjithatë disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për vizat.
“Dëshirojë veçanërisht ato që janë në sallën e pritjes për një kohë të gjatë, të jenë aleatë”, ka thënë shkurt ajo.
Përkundër informacioneve se është zyrtarizuar kërkesa e Francës që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), Albanian Post kishte mësuar nga burimet se çështja e vizave për Kosovën tashmë është punë e kryer.
Janë vendosur edhe nënshkrimet dhe Kosovës do t’i liberalizohen vizat shumë shpejt, pasi është arritur edhe pajtim mes Brukselit dhe Kosovës.
Burimet thonë për AP se Brukseli zyrtar ka marrë pëlqimin e të gjitha ministrive të shteteve anëtare dhe Këshilli i Ministrave do të vendosë pozitivisht për këtë çështje.
Historik i rrugëtimit të Kosovës drejt Liberalizimit të Vizave
Kosova e ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit para 12 viteve. Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvend dhe protestat masive në sheshet kryesore të Prishtinës ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.