Shqipëria

Turizmi s’ka të ndalur – Rriten ndjeshën netët e qëndrimit në hotelet shqiptare


Muaji prill ka parë një vërshim të turistëve të huaj drejt Shqipërisë.

Të dhënat e strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT tregojnë se numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 62%, në krahasim me prillin e një viti më parë.

Netët e qëndrimit në hotele u rritën në prill më shumë se 74.5 për qind.

“Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e tjerë: numri i vizitorëve rezident është rritur me 19.4%, numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 91,9%”, thuhet në publikim.

Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 2.1 herë.

Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 85,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 85.6%.

Por cilët janë rajonet që kanë pasur numër më të lartë vizitorësh?

Sipas të dhënave të prillit rajoni qendër ka pasur 63.3 për qind të tyre. Nëse llogarisim afërsinë me bregdetin në zonat jo-bregdetare kjo pjesë mbajti 59 për qind të tyre. Sipas llojit të strukturës akomoduese ku kanë qëndruar  në “Hotele dhe akomodime të ngjashme”  ishin 92.6%.

“Numri i netë-qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në rajonin qendër ka shënuar rritje me 86. 8%. Në zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 77.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i net qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 74.5%”, tregon INSTAT.

I njëjti publikim, vlerëson se në muajin prill 2024, numri më i lartë i net qëndrimeve është realizuar:  sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (65.3%);  sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (59.3%); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (91.9%).

Sa i takon normave neto të shfrytëzimit, gjatë këtij muaji, norma e dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 22.1%, kundrejt 13.5% që ishte në muajin prill 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 24.5%, kundrejt 16.8% që ishte në muajin prill 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore