Shqipëria

Turizmi shqiptar me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe të tretën në botë


Katari dhe Arabia Saudite.

Këto janë dy vendet e vetme, të cilat mund të thonë se kanë tejkaluar Shqipërinë pas pandemisë COVID-19, sa i takon rritjes së turizmit, ku vendi i shqiponjave radhitet i treti në gjithë botën, por i pari në Evropë, me një rritje prej 54%.

E gjitha, në kushtet kur Katari është një vend, i cili mikpriti Kupën e Botës në futboll në vitin 2022, duke u bërë kështu një ndihmë e madhe për turizmin vendor atje dhe duke i dhuruar mbretërisë së vogël në Gjin Persik vendin e parë për këtë rritje me ndjekës fqinjët e Arabisë Saudite.

Shqipëria gjithsesi konkurrueshmërinë nuk e shënjon me këto shtete, por me vendet fqinje fillimisht e më pas gjerësisht edhe me vendet e turizmit të zhvilluar evropian.

Një fjalë mbi këtë performancë të vendit, e ka shkruar në median sociale Facebook edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, për të cilin rritja e pandalshme e turistëve jo vetëm në sezonin veror buzë detit, por edhe përgjatë gjithë vitit, ka bërë që të konfirmohet ky rezultat i pasqyruar nga Organizata Botërore e Turizmit, e cila Shqipërinë e radhit të tretën në botë për rritje dhe të parën në Evropë.

Madje, me vendet e kontinentit të vjetër, diferenca është abisale, ku vende ndjekëse janë Bullgaria dhe Serbia, të cilat kanë parë rritje me 27%. Thënë ndryshe, sa gjysma e rritjes shqiptare në periudhën pas-pandemike.

Në listën e organizatës së njohur renditen me radhë edhe vende ekzostine si Etiopia, ishujt Saint Maarten, El Salvador, apo Tanzania e Kolumbia, të cilat shquhen për turizmin e tyre elitar, me resorte të mëdha me pesë yje, duke tërhequr kryesisht vëmendjen e turistëve amerikanë, apo atyre aziatikë.

Vetë Shqipëria përfiton kryesisht nga turistët evropianë lidhur me rritjen, por vitet e fundit është parë edhe një fluks që shkon përtej rajonit, duke përfshirë rritje të amerikanëve apo aziatëke, të cilët vizitojnë vendin.

Fluturimet e shtuara dhe rritja e fluksit në aeroportin e Rinasit, është gjithashtu një tregues i qartë i rritjes së madhe që turizmi shqiptar po sheh dhe brenda vitit, parashikohet se Rinasi mundet të tejkalojë Beogradin, si qendra më e madhe e fluksit ajror në Ballkan.

Nuk janë më kinezët, jemi ne që duam Shqipërinë – Shefqet Kastrati rrëfen zgjerimin e Rinasit për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore