Shqipëria

Trupat në valixhe: Droga, hakmarrja apo paratë, kush preu në besë kë?


Fillon të marrë formë krimi makabër i vrasjes së Shpëtim dhe Teuta Pashos, trupat e të cilëve u copëtuan, u futën në tre valixhe dhe më pas u hodhën në një fushë pranë burgut të Solliciano-s në Firenze. Por, edhe pse kemi viktimat, ende nuk dihet kush e shkaktoi këtë krim monstruoz dhe pse.

Policia italiane është larg ndërtimit të një kornize të saktë të ngjarjes, edhe pas marrjes në pyetje për një ditë të tërë të motrave Dorina dhe Viktoria Pasho, pas gjetjes së trupave të prindërve të tyre në një skenë të ngjashme me atë të filmave horror.

Gjithsesi, çdo detaj i ngjarjes deri tani shpie tek një emër i vetëm, ai i Taulant Pashos, djalit të familjes Pasho, më parë i dënuar për trafik droge dhe në arrati prej 2016-ës nga policia italiane. Në lojë, janë edhe 40 mijë Euro të çiftit, të zhdukura.

Mediat italiane e kanë mbuluar ngjarjen me çdo zhvillim të ri, dhe në titujt kryesorë të tyre, shihet një term shumë i njohur për shqiptarët, “Besa”!

Ashtu si shpjegohet dhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, besa është një fjalë e dhënë, një betim, i cili duhet mbajtur deri në çastin e fundit të jetës. E tejçuar ndër shekuj brez pas brezi, besa është kthyer në një mit të vërtetë të kulturës shqiptare.

Ky kod i vjetër, është adaptuar edhe nga një strukturë tjetër, këtë herë kriminale. Mafia shqiptare, e cilësuar shpesh në raportet e antimafias italiane si pasuese natyrale e “Ndragheta-s”, e përdor kodin e besës për të marrë besnikërinë e të rekrutuarve. Por, nëse besa nuk mbahet, paguhet me jetë!

Policia italiane është marrë gjatë me mafian shqiptare dhe me problemet që ata shkaktojnë. Ndër veprat e shumta kriminale, raportet policore e cilësojnë për tre gjëra: Dhunën, trafikun e drogës dhe prostitucionin.

Taulanti, sipas rekordeve kriminale, ishte specializuar tek e dyta, trafiku i drogës, por edhe me dhunën nuk bënte shaka.

Le të kthehemi pas në kohë, në gjysmën e parë të 2015-s, kur Shpëtim dhe Teuta Pasho ishin ende shëndoshë e mirë dhe zhvillonin jetën e tyre midis Shqipërisë dhe Italisë.

Një prej atyre ditëve, Dorina paraqitet tek “Carabinieri-t” e Castelfiorentino-s, qytezës ku jeton ende, dhe tregon ngjarjen e ndodhur: “Vëllai, më ka rrahur”.

Kjo, për shkak se Dorina, frekuentonte një burrë të martuar. Kjo tregon se dhuna nuk ka një lidhje të fortë me krimin që tronditi Firenze-n. Por dhuna ndaj Dorinës mbart peshë, sepse më vonë në po atë ditë, Taulanti plagos një shqiptar nga një familje tjetër me thikë. Nga kjo, mund të kuptojmë natyrën e tij dhe implikimin që mund të ketë në historinë e valixheve.

Hamendësimet janë se Taulanti ndodhet në Zvicër tashmë dhe kërkimet për të janë zhvendosur aty.

Ndërkohë, Shpëtim Pasho kishte përftuar një shumë prej 40 mijë Euro-sh nga një aksident i rëndë që kishte pësuar në punë. Ajo shumë do t’i lejonte çiftit të qëndronte më gjatë në Itali. Por ku u zhdukën këto pará? U grabitën edhe ato nga vrasësit?

Euro-t tashmë janë një tjetër pistë hetimi për ngjarjen.

Pista e fundit e hetimit, është një apartament në rrugën “Pantano 16”, aty ku Taulanti ka jetuar me të fejuarën, Elona, deri në largimin e tij në 2016-ën. Pas largimit të Taulantit, Elona ka vazhduar të jetojë aty.

Por kjo shtëpi, është sinjalizuar disa herë nga banorët e pallatit, midis vitit 2016 dhe 2017, për shkak të aromave të forta që vinin nga aty. Këto aroma, iu atribuan pranisë së disa qenve të trajtuar në mënyrë jo të duhur brenda shtëpisë dhe pranisë së urinës së tyre në apartament.

Autoritetet kanë shpjeguar se asnjë kontroll nuk ka gjetur mbetje njerëzore të dekompozuara aty, por në 2016-ën, u gjetën gjashtë kilogramë marijuanë, të cilat bënë që Taulant Pasho të shpallej në kërkim nga policia.

Edhe ky apartament është tashmë pjesë e hetimeve.

E gjithë Firenze është mbërthyer nga kjo ngjarje dhe pret me padurim zbardhjen e krimit makabër, por pyetjet e ngritura janë shumta.

Është droga? Hakmarrja? Paratë?

 

Valixhet me trupa të copëtuar në Firenze, hije e “mafies” shqiptare?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore