Lajme

Trump pranon të hapet dosja hetimore ndaj tij


Nuk ka asnjë kundërshtim nga ana e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të zbuluar dokumentet e gjetura në rezidencën e tij të pushimeve në Mar-a-Lago, pas kontrollit që Byroja Kombëtare e Hetimit (FBI) kreu disa ditë më parë.

Megjithatë, ai e theksoi se sipas tij, gjithë ngjarja është politikisht e motivuar dhe e panevojshme. Por, fshehje pas mandatit të tij të shkuar nuk do të ketë dhe një kërkesë e menjëhershme për bërjen publike të gjetjeve të aksionit hetimor, është bërë tashmë.

Ka ardhur nga Departamenti i Drejtësisë kërkesa fillimisht, drejtuar një gjykate në Florida.

Kjo gjykatë, ka në dorë hapjen ose jo të gjithë dosjes.

Nga ana tjetër, duhet nënvizuar edhe fakti se arsyeja për kontrollin e kryer në banesën e tij të pushimeve, ende nuk është zbuluar nga Departamenti i Drejtësisë. Ndaj, nëse dosja hapet, përtej materialeve, publiku do të kishte akses edhe në arsyet që e çuan departamentin në këtë vendim.

Në tërësi, mendohet se ky hetim ka pasur të bëjë me gjetjen e provave për marrje të materialeve të klasifikuara si sekrete, nga Shtëpia e Bardhë për në Mar-a-Lago, pasi Trump e përmbylli mandatin e tij.

Sipas një raportimi të mëparshëm të së përditshmes amerikane “The Washington Post”, brenda materialeve ka pasur edhe nga ato, të cilat lidhen me armët bërthamore.

Nuk dihet gjithsesi nëse bëhet fjalë vetëm për ato amerikane apo edhe për vende të tjera.

Kërkesa e Trumpit ka qenë e prerë, për të bërë hapjen e dosjes të premten maksimalisht. Por, për këtë gjë, vendos gjykata dhe kërkesa e ish-presidentit, mund të mos merret parasysh menjëherë, pavarësisht vullnetit për të zbardhur ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore