Shqipëria

Tritoli në banesën e Armand Dukës, lihet në burg autori i dyshuar


Gjykata e Durrësit ka vendosur masën arrest me burg për 34-vjeçarin, Arlen Hasanaj, i akuzuar për vendosjen e tritolit në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Ka qenë Prokuroria e Rrethit që ka kërkuar arrest me burg për 34-vjeçarin Arlen Hasanaj.

Seanca gjyqësore është zhvillouar me dyer të mbyllura, nën masa të rrepta sigurie.

Avokati mbrojtës i 34 vjecarit, ka vënë në dispozicion të hetimit pamjet filmike.

Sipas tij, Hasanaj e ka pasur të pamundur të mbërrijë në Durrës në kohë për të realizuar veprën penale për të cilën akuzohet.

“Nga momenti i filmimit kur paguan faturën në qendrën tregtare Megatek ora shënon  21:38 minuta. Në orën 22:00 ka qenë te ura e Dajlanit, në 22:02 hyn në rotondon kryesore të qytetit të Durrësit. Në orën 22:03 parkon te shtëpia e vetë, ndërkohë që në këtë orë është ndezur fitili te shtëpia e Dukës. Vetëm Batman e realizon këtë. Si duket ka interesa që dalin përtej interesave ligjorë, ka interes që të ketë një person që po ndiqet formalisht për këtë çështje”, tha avokati.

Hasanaj rezulton me një djegie në dorën djathtë dhe dyshimet janë se 34-vjeçari është djegur gjatë ndezjes së fitilit në momentin para se të hidhte tritolin në portën e jashtme të oborrit të shtëpisë së Dukës.

Një ekspert i mjekësisë ligjore nga Tirana mbërriti më herët në dhomat e paraburgimit ku ka marrë analizat nëse ka gjurmë baruti në dorën e djathtë të Hasanajt.

Ndërtimi i ngjarjes

Vetë Armand Duka, nga vendi i ngjarjes, deklaroi se shpërthimi ka qenë i fortë. Sakaq, kamerat e sigurisë sipas tij, e kanë filmuar gjithë ngjarjen. Një person me kapuç, ka qenë ai i cili e ka vendosur lëndën plasëse dhe është larguar nga vendngjarja.

E gjithë kjo ngjarje vjen pas një epopeje të vërtetë mes Dukës dhe Veliajt, në një luftë aspak të zakontë për 20 vjetët e fundit, në futbollin shqiptar.

Duka, për të gjashtin mandat në krye të FSHF-së, garon në zgjedhjet e 2 marsit, përballë komentatorit të njohur sportiv, Dritan Shakohoxha.

Mirëpo, e diela e 23 janarit, do të bënte që mediat të gëlonin mbi një çështje të paprecedente në Shqipëri.

Bashkia e Tiranës, në rolin e aksionerit të Sport Klub Tirana, do të padiste Armand Dukën për një sërë akuzash, ndër të cilat korrupsion në krye të FSHF-së, duke përpiluar një dosje voluminoze edhe ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, nga vetë federata, përgjigja erdhi e shpejtë.

Sipas tyre, akuzat kishin të bënin me një përpjekje për të destabilizuar garën zgjedhore. Por, ato u faktuan të hënën e 24 janarit, kur Prokuroria e Tiranës nisi zyrtarisht hetimin për Dukën.

Megjithatë, nga vetë federata, çështja u shpërfill. Ata u fokusuan tek goditja ndaj vetë Veliajt dhe nxorrën në dritë një audiopërgjim 30 minutësh, nga mbledhja e kryebashkiakut të Tiranës më disa zyrtarë të klubeve sportive tiranase.

Në të, Veliaj dëgjohej teksa fliste me tone të ashpra ndaj Dukës dhe dy dekadave të tija në FSHF.

Më pas, episodi i radhës u zhvendos në zgjedhjen e kryetarit të ri të Shoqatës rajonale të Futbollit Tiranë. Me 44 vota, Krenar Alimehmeti u shpall fitues.

Mirëpo, këtë vendim, Veliaj dhe drejtues të tjerë klubesh sportive në Tiranë, e kanë cilësuar si një farsë, pasi sipas tyre, asnjë nga shoqatat nuk i njihte ata të cilët votuan.

Dy kallëzime penale të reja sakaq, do të bëhen kundrejt strukturave të FSHF-së.

E para, do të jetë për sekretarin e Përgjithshëm të federatës, Ilir Shulkun. Tjetra, për sekretarin e shoqatës rajonale të futbollit.

“Disa njerëz do të bëjnë burg për këtë çështje”, u duk i bindur Veliaj. “Do të shkojnë në burg! Është e pafalshme! do shkojnë në burg. Kjo është kriminale”.

Të pranishëm në takim me të, ishin edhe përfaqësues nga 20 shoqata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore