Gatimi

Trileçe, ëmbëlsira e thjeshtë me tre përbërës


Kjo ëmbëlsirë e shijshme që përgatitet përmes tre llojeve të ndryshme të qumështit është e thjeshtë dhe ka një shije të lehtë e unike. Ndiqni hapat për të përgatitur recetën klasike të trileçes, një nga ëmbëlsirat më të preferuara për shqiptarët.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 250 gr miell, 250 gr sheqer, 6 kokrra vezë, 500 ml qumësht pana, 500 ml qumësht panda (i kondesuar), 400 ml qumësht lope,4 lugë gjelle glazë/krem karameli (mund ta gjejmë të gatshëm në supermarket),20 gr ose 1 lugë çaji sodë buke.

Përgatitja

Në fillim përgatisim pandispanjën. Vendosim vezët dhe sheqerin në mikser për t’i përzier.

Pasi përzierjes, shtojmë miellin dhe i përziejmë sërish për 5 minuta. Deri sa të krijohet një masë homogjene.

Ndezim furrën në temperaturën 160 gradë. Ndërkohë bëjmë gati tavën, duke e lyer fillimisht me pak gjalpë. Vendosim masën e krijuar nga mikseri dhe e lëmë të piqet për 30 minuta.

Përgatisim pjesën tjetër të trileçes. Vendosim për t’u zier në një tenxhere tre llojet e qumështit.

Pandispanjën e ftohur e presim në racione. Hedhim sipër qumështin e zier, në mënyrë që të zbutet në të gjitha anët e tavës.

Shkrijmë kremin/glazën e karamelit në një tenxhere të pastër. Më pas ia hedhim trileçes, si shtresa finale e ëmbëlsirës.

E lëmë ëmbëlsirën të ftohet për 4 orë. Pas ftohjes, është gati për t’u shijuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore