Muzikë

Tri këngë magjike nga Kosova për 21 vjet festival


Kënga Magjike është njëri ndër festivalet më të suksesshme në Shqipëri, i cili për çdo vit mbledh emrat më eminentë të muzikës shqiptare.

Në skenën gjigande të këtij festivali janë ngjitur edhe shumë artistë nga Kosova, krijimet e të cilëve kanë rezultuar si mjaft të pëlqyeshme nga publiku.

Shumë këngë që prezantohen gjatë Këngës Magjike shndërrohen në hite. Të tilla kanë qenë këngët e artistëve nga Kosova. Janë dashur nga publiku, por s’kanë rrëmbyer dot çmimet e para të jurisë.

Vetëm tri këngë nga Kosova kanë arritur të kurorëzohen me vend të parë përgjatë 21 edicioneve të mbajtura të Këngës Magjike.

Madje, në dekadën e fundit asnjë këngëtar kosovar nuk arriti të jetë fitues i këtij festivali.

Kënga e parë fituese nga një artist kosovar në Këngën Magjike ishte “Ku je ti” nga Ema Bytyqi, fitore kjo e shënuar gjatë edicionit të parë jubilar të festivalit më 2003.

Vetëm dy vjet më vonë, skenën e Këngës Magjike e pushton Genta Ismajli, këngëtarja e njohur për perfomancat e veçanta. Ajo me këngën “Nuk dua tjetër” u shpall fituese në vitin 2005.

“Kur dashuria vdes” interpretuar nga Armend Rexhepagiqi më 2006 ishte kënga e fundit solo, që triumfoi në Këngën Magjike.

Që nga ai vit më asnjëherë, asnjë këngëtar nga Kosova nuk arriti ta merrte çmimin e parë të festivalit.


Rrugëtimi i Këngës Magjike

Nëse nuk e keni ditur, ky festival së pari nisi të transmetohej në Televizionin Shqiptar në  vitin 1999. Por që nga viti 2000, organizmin e festivalit e mori në dorë televizioni Klan.

Festivali prezantues kryesor ka Ardit Gjebrean, që po ashtu është edhe themeluesi i këtij evenimenti. Aktorja daneze Brigitte Nielsen, ikona e televizionit spanjoll Natalia Estrada, aktorja turke Songül Öden e princesha shqiptare Elia Zogu, janë vetëm disa nga emrat me të cilët ai ndau skenën si prezantues.

Kënga Magjike shquhet për larminë e muzikës që sjell për publikun, por edhe për faktin se pjesëmarrësit në këtë garë përpos nga Shqipëria, vijnë edhe nga vende të tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e zona të tjera.

Ndër komponentët më të veçantë të këtij festivali është edhe fakti se këngët garuese janë të krijuara ekskluzivisht për konkurrim, ato janë të padëgjuara më parë nga publiku.

Mënyrat për përzgjedhjen e fituesit të festivalit kanë qenë të ndryshme gjatë historisë së tij, por kryesisht janë bërë përmes shpërblimit me pikë nga juria, televotuesit si dhe viteve të fundit edhe nga vetë pjesëmarrësit.

Më poshtë mund të shihni renditjen e kompletuar tabelore me artistët që fituan vendet e para në Këngën Magjike që prej edicionit të saj të parë.

Kënga Magjike nuk u mbajt gjatë vitit 2020, por ai pritet të rikthehet në pranveren e këtij viti./AlbanianPost

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore