Kosova

Tri arsyet pse projekt-ligji dypartiak për Ballkanin Perëndimor u propozua nga senatorët amerikanë


Senatorët amerikan gjatë vizitës së tyre të fundit në Kosovë

Një grup senatorësh amerikanë, të udhëhequr nga demokratja Jeanne Shaheen dhe republikani Roger Wicker, kanë paraqitur një projekt-ligj dypartiak mbi mbështetjen amerikane për Ballkanin Perëndimor.

Qëllimi është mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit, por parashikohen sanksione edhe për ata që kërcënojnë stabilitetin e rajonit ose janë të përfshirë në korrupsion.

Sipas burimeve të Euronews edicioni në gjuhën serbe, disa nga senatorët amerikanë të cilët javë më parë dorëzuan në Kongres një propozim dy partiak të titulluar Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, po kërkojnë nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të forcojnë rolin dhe praninë e Korporatës Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar, kryesisht në Ballkanin Perëndimor dhe pjesë të tjera të Evropës Lindore.

Euronews shkruan se bazuar në burimet e tyre diplomatike në Washington, janë tre arsye kryesore pse senatorët kanë propozuar këtë ligj.

“E para është sepse këta senatorë besojnë se Ballkani duhet të jetë një ndër prioritetet e politikës së jashtme të Washingtonit. Arsyeja e dytë lidhet me problemin e ikjes së trurit nga rajoni, të cilën senatorët thonë se e kanë parë dhe kuptuar kur në pranverë kanë vizituar rajonin. Si arsye e tretë është ndikimi i administratës së Putinit në rajon dhe ata e kanë kuptuar se ky ndikim është forcuar kur Rusia ka pushtuar Ukrainën”, shkruan Euronews.

Jeanne Shaheen

Në një intervistë për shërbimin e Zërit të Amerikës për Maqedoninë e Veriut, senatoja Shaheen tha se forcimi i demokracisë, inkurajimi i përparimit ekonomik dhe luftimi i korrupsionit janë disa nga mënyrat për të shmangur ndikimin e dëmshëm.

Duke shpjeguar nismën, senatorja Shaheen deklaroi se marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor është e një rëndësie kritike në kohën e luftës ruse në Ukrainë dhe ambiciet e qarta të presidentit rus Vladimir Putin për të përhapur ndikimin malinj në Evropën Lindore.

“Ky ligj është një përpjekje për të ripërtërirë fokusin në vendet e Ballkanit Perëndimor, në rëndësinë e progresit të vazhdueshëm të këtyre vendeve drejt Perëndimit, integrimit në BE dhe formësimit të demokracisë. Ky është qëllimi thelbësor i ligjit”, deklaroi ajo.

Gjithahtu, edhe “zgjidhja e problemit të korrupsionit është një pjesë e rëndësishme e kësaj nisme dhe ky propozim i jep autoritet Sekretarit të Shtetit për të ofruar asistencë teknike për vendet që kërkojnë ndihmë në zgjidhjen e problemit me korrupsionin”.

Autorët e projektligjit besojnë se një stabilitet më i madh ekonomik dhe institucione më të forta demokratike do të rriste kënaqësinë e qytetarëve, do të reduktonte emigracionin e të rinjve dhe do t’i bënte qytetarët më pak të prirur t’i nënshtrohen dezinformatave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore