Shëndet

Trendi i ri i psikofarmaceutikëve: 17 milionë njerëz i përdorin në Itali, bum mes të rinjve


Fluoxetina, sertralina, citalopram-i, escitalopram-i, fluvoxamina dhe paroxetina: janë termat që janë bërë pjesë e përditshmërisë së rreth 17 milionë italianëve.

Përdorimi i barnave psikiatrike në Itali në fakt është vazhdimisht në rritje.

Në veçanti, konsumi i antidepresantëve është rritur vazhdimisht për të paktën shtatë vjet me 10 për qind. Deri më tani rreth 7 për qind e popullsisë e merr këtë lloj ilaçi, teksa përdoret më pak në jug, ku ekspozimi ndaj depresionit është gjithashtu më i lartë.

Ende konsumohen shumë pilula për ta luftuar atë, 44.6 në ditë për çdo mijë banorë kundrejt 39 në vitin 2014.

Më pas janë antipsikotikët për skizofreninë, çrregullimet delirante, çrregullimet e humorit si bipolar, konsumi i të cilave është rritur nga viti 2014 me 20 për qind, me 10 doza ditore për një mijë banorë në vitin 2021.

Nga anksiolitikët, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e barnave qetësuese-hipnotike dhe anksiolitike, çdo ditë merren 54 doza për një mijë banorë, kundrejt 40 në vitin 2014.

Referuar një sondazhi nga Aifa, 40 për qind e atyre që përdorin ilaçet kundër depresionit nuk i përmbahen terapisë. Domethënë e ndërpresin dhe pastaj e rifillojnë, ose e përfundojnë para kohe.

Mirëpo, enigma mbetet e njëjtë si gjithmonë, domethënë nëse ky konsum i lartë i barnave psikotrope justifikohet apo jo.

Duke gjykuar nga mënyra sesi influencuesit i ekspozojnë ato në rrjetet sociale, lindin disa dyshime.

Tani është bërë modë të shfaqësh në internet kabinetin farmaceutik të dikujt kundër ankthit ose depresionit, duke përfunduar me këshilla se çfarë të marrësh dhe çfarë jo ose të vlerësosh këtë dhe atë ilaç në TikTok.

Nuk duhet të çuditemi nëse drogat psikotrope po përhapen edhe tek adoleshentët që i përdorin që në moshën 13-14 vjeç.

Një në 10 adoleshentë i përdorin “për qëllime rekreative”, një fenomen që është rritur me 20 për qind në pesë vitet e fundit, sipas një studimi të Cnr.

Gjithashtu sepse gjetja e tyre është gjithmonë më e lehtë.

I njëjti studim vërteton se për 42 për qind të rasteve mjafton të futesh në dollap në shtëpi, 28 për qind i blejnë pa vështirësi në internet dhe 22 për qind të tjerë i marrin në rrugë, ku i kalojnë si drogë.

Një konsum i nxitur edhe nga vetëvlerësimi i ulët i fëmijëve. Këto barna psikotrope – thotë profesor Matteo Balestrieri- përfaqësojnë për shumë një spirancë sigurie për të rritur performancën në shkollë dhe nivelet e vëmendjes, për të përmirësuar pamjen fizike kur kombinohet me ilaçe dietike, për të rritur nivelet e vetëbesimit, për t’u ndjerë në formë, duke përmirësuar gjumin dhe disponimin.

Dhe për këtë arsye shumë të rinj janë të shtyrë t’i marrin ato duke dalë jashtë kontrollit në familje.

Claudio Mencacci, drejtor i psikiatrisë në spitalin Fatebenefratelli në Milano, “drogat psikiatrike, së bashku me një rrugë terapeutike 360 ​​gradë, janë thelbësore për trajtimin e sëmundjeve mendore si te të rinjtë ashtu edhe te të moshuarit dhe ne nuk duhet të kemi frikë prej tyre”.

“Shumë patologji të trajtuara në kohë te fëmijët u garantojnë atyre një të ardhme. Nëse, nga ana tjetër, këto trajtime përdoren me metoda dhe synime të ndryshme, nuk ndihmojnë dhe mund të kenë pasoja negative”.

Duke lënë mënjanë abuzimet, hiperkonsumimi i drogave psikotrope fsheh gjithashtu një sëmundje mendore gjithnjë e më të përhapur tek italianët.

Një studim tjetër i kryer nga Cnr, në bashkëpunim me Aifa, zbuloi se pothuajse gjysma e popullsisë ka disa probleme me ekuilibrin mendor.

21 për qind e atyre të moshës 15-74 vjeç kanë depresion të moderuar ose të rëndë, 19 për qind vuajnë nga ankthi dhe 12 për qind nga stresi.

Nivele që janë më të larta te gratë, të cilat konsumojnë ilaçet kundër depresionit në dy milionë.

Por dallimet nuk janë vetëm gjinore.

“Pabarazitë socio-ekonomike në depresion janë të dokumentuara mirë dhe rreziku i zhvillimit të patologjisë shoqërohet me gjendje varfërie dhe papunësie”, thuhet në atlasin e pabarazive sociale në përdorimin e barnave psikiatrike të zhvilluar nga Aifa.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore