Lajme

Trendafilova anulon vizitën në Kosovë, jo edhe takimet


Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e ka anuluar vizitën e saj të paralajmëruar në Kosovë, të cilën pritej ta zhvillonte të hënën e 4 korrikut.

Ndonëse fizikisht nuk do të jetë e pranishme në Kosovë, gjykatësja bullgare takimet e saj, të cilat i kishte planifikuar t’i zhvillonte kokë më kokë, do t’i kryejë në mënyrë virtuale, përmes platformës ZOOM.

Kështu të paktën ka thënë për Albanian Post zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep.

“Për shkak të nivelit të lartë të kërkesës së pjesëmarrësve për t’iu bashkuar takimit të Presidentes Trendafilova, ngjarja e planifikuar të mbahet më 4 korrik do të zhvillohet plotësisht online. Presidentja do të udhëtojë për në Kosovë pas periudhës së verës”, ka thënë Griep për Albanian Post.

Po nëse Trendafilova, do të zhvillonte vizitën e saj të dytë në Kosovë, ajo nuk do të pritej me duart e hapura.

Pasi që Partia Socialdemokrate, ka paralajmëruar protestën e radhës, në ditën kur gjykatësja Trendafilova, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

“Kryetarja Ekaterina Trëndalifova anuloi vizitën e saj. Por cili është qëllimi apo kuptimi i takimit të një gjykate me shoqërinë civile? Tejet e çuditshme, apo jo? Gjykata Speciale tashmë as nuk po fshihet prapa drejtësisë. Ajo ka filluar të merret me imazhin e saj. Po bën politikë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, PSD pati zhvilluar edhe një aksion simbolik ditën kur Trendafilova, kishte organizuar një konferencë për media, për të folur më me detaje për punën e Gjykatës Speciale dhe për përshtypjet e saja gjatë vizitës në Kosovë gjatë muajit shtator të vitit të kaluar.

Gjatë vizitës, tashmë të anuluar të Trendafilovas, ajo kishte planifikuar të takohej me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku me ta do të fliste për punët dhe zhvillimet aktuale në Dhomat e Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore