Shqipëria

Tremujori i dytë i vitit 2021 shënon rritje të pajtimtarëve celularë


Në tremujorin e dytë të vitit 2021, Shqipëria rezultoi me 3.19 milionë karta SIM në përdorim, krahasuar me 3.17 milionë në tremujorin e mëparshëm dhe 3.16 milionë në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Vodafone Albania kryesonte me 1.38 milionë karta SIM, e ndjekur nga One Telecommunications me 1.25 milionë dhe Albtelecom me 545 mijë e 429.

Ndërkohë, referuar të dhënave, abonentët e linjës fikse arritën në 211 mijë e 150, me 3.5 për qind më pak se në tremujorin e mëparshëm dhe 10.7 për qind nga viti në vit.

Në këtë sferë, Albtelecom-i ishte lider në treg me 158 mijë e 786 linja e ndjekur nga ASC me 27 mijë e 828 dhe të tjerët me 7 mijë e 340. Pastaj, Vodafone-i me 8 mijë e 883, Abissnet-i me 4 mijë e 163 dhe Nisatel-i me 4 mijë e 150.

Sipas autoritetit, rezultonin aktivë 2.06 milionë përdorues të brezit të gjerë celular (3G dhe 4G), çka karakterizon një rritje me 1.5 për qind në tremujorin e mëparshëm dhe me 31.7 për qind nga viti në vit.

Dhe Vodafone Albania kishte më së shumti përdorues të përllogaritur në 963 mijë e 338, me 27.6 për qind rritje nga viti në vit.

Lidhur me tremujorin e mëparshëm, lidhjet fikse me brez të gjerë arritën në 526 mijë e 891, një rritje prej 1.8 për qind dhe 11.5 për qind nga viti në vit. Këtu kryesonte Albtelecom-i me 121 mijë e 846.

Kurse numri i abonentëve në paketat e shërbimeve të integruara (telefonia fikse, interneti dhe televizori) pësoi një rritje prej 7.1 për qind nga një vit më parë, kanë treguar të dhënat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore