Lajme

Tregu i kriptomonedhave dhe mungesa e transparencës


Paçka se investitorët rrisin kontrollin në industrinë e kriptomonedhave, shumë nga emrat më të mëdhenj në treg ende i shmangen pyetjeve themelore në lidhje me bizneset e tyre.

Transparenca në ruajtjen e aseteve të klientëve dhe marrëveshjet e qeverisjes së korporatës janë në qendër të vëmendjes pas një sërë dështimesh dhe padish rregullatore të fokusuara në konfliktet e interesit dhe praktikat e biznesit.

Gjatë muajve të fundit Binance, bursa më e madhe në botë, është akuzuar nga një rregullator financiar amerikan për operimin e paligjshëm në vend dhe fshehjen e lidhjeve me Kinën.

Kurse kolapsi i FTX vitin e kaluar ekspozoi lidhjet e ngushta të bursës me krahun tregtar Alameda Research të Sam Bankman-Fried.

Rastet e profilit të lartë kanë ngritur pyetje nëse disa kompani përmbushin standardet minimale të mbrojtjes së konsumatorit dhe mbi cilësinë e kujdesit të duhur të ndërmarrë nga një mori emrash të mëdhenj të kapitalit privat që kanë investuar në kompani kripto.

Rregullatori i tregjeve në Mbretërinë e Bashkuar ka refuzuar 85 për qind të 265 aplikimeve të bëra për t’iu bashkuar regjimit të aseteve të kriptove gjatë tre viteve të fundit, duke theksuar procedurat e pajtueshmërisë së shpërndarë në të gjithë industrinë.

“Financial Times” për të zbuluar më shumë ka pyetur 21 nga kompanitë më të shquara të kriptos për qeverisjen e tyre dhe trajtimin e aseteve të klientëve.

Por tetë prej tyre nuk pranuan të ndajnë informacion.

“Është një frikë thelbësore e shkëmbimit të informacionit”, ka thënë James Newman, bashkëthemelues në perfORM Due Diligence Services, një grup që kontrollon prejardhjen e bizneseve private në kripto, kapital sipërmarrës dhe pasuri të paluajtshme.

“Kur ne jemi të ngarkuar të shqyrtojmë një shkëmbim kriptosh ose kujdestar, shpesh gjëja e parë që ata bëjnë është t’ju kërkojnë një marrëveshje moszbulimi. Mund të jetë aq kufizuese sa nuk mund ta kryesh punën”, ka treguar ai.

“Financial Times” iu drejtua kompanive si Binance, Coinbase, Kraken, KuCoin, Bitstamp, Bitfinex, OKX, Bybit, Gemini, Huobi, Crypto.com dhe Coincheck.

Dhe pyetjet me të cilat iu drejtua kishin të bënin me vendndodhjen e selisë, bordin drejtues, se kush është shefi financiar i tyre, sa punonjës kanë.

Po ashtu nëse ato mbanin aktivet e klientit në llogari të ndara dhe a i jepnin hua aktivet e klientit apo i përdorni ato si kolateral për kredi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore