Lajme

Tre ushtarë u vranë nga sulmet me raketa pranë Damask-ut, sipas mediave siriane


Tre ushtarë sirianë u vranë pasi ushtria izraelite goditi objektivat duke përdorur raketa tokë-tokë pranë kryeqytetit sirian të Damask-ut të premten mbrëma.

Lajmi u bë i ditur nga media zyrtare shtetërore e Sirisë, duke u cituar nga mediat izraelite.

Ky ishte sulmi i dytë i supozuar izraelit në Siri brenda një jave.

Kjo, pasi sulmet ajrore të premten e kaluar synuan një strukturë në rajonin veriperëndimor Masyaf.

Në sulmet ajrore të së premtes së kaluar, gjashtë ushtarë sirianë u vranë, sipas raportimeve të mediave.

Stacioni radiofonik Sham FM i Sirisë tha se një zjarr kishte shpërthyer pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut, në juglindje të qytetit, si rezultat i sulmeve.

Pretendimet nuk mund të verifikoheshin menjëherë në mënyrë të pavarur.

Sulmet erdhën disa orë pasi zëdhënësi në gjuhën arabe i IDF-së akuzoi dhëndrin e komandantit të vrarë të Gardës Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani.

Akuzat lidheshin me kontrabandë armësh nga Irani drejt Hezbollah-ut duke përdorur fluturime civile përmes Sirisë.

Transmetuesi shtetëror, SANA, shtoi se shumica e raketave – të lëshuara nga lartësitë e Golanit – u kapën.

SANA nuk dha hollësi të menjëhershme mbi dëmet e shkaktuara në vendet që u goditën.

Tre ushtarët e vrarë u raportuan se ishin anëtarë të ekuipazhit të një sistemi të mbrojtjes ajrore, sipas raportimeve të mediave lokale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore