Lajme

Tre të vdekur nga shpërthimi në urën e Krimesë


Komiteti Hetues i Rusisë raportoi për vdekjen e tre personave si pasojë e shpërthimit në Urën e Krimesë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia investigative “Meduza”, duke iu referuar autoriteteve ruse.

“Sipas të dhënave paraprake, tre persona kanë humbur jetën si pasojë e incidentit. Ata ndoshta janë pasagjerë të një makine që ndodhej pranë kamionit që shpërtheu”, shkruan njoftimi i komitetit rus.

Autoritetet ruse thonë se tashmë kanë nxjerrë nga uji trupat e dy personave të vdekur – një burrë dhe një grua dhe identitetet e tyre po përcaktohen.

Krimea u zgjua pa një rrugë tokësore dhe as hekurudhore me Federatën Ruse të shtunën e 8 tetorit.

Ura e Kerçit nga Rusia në Krime, një simbol i pushtimit të Kremlin-it të gadishullit jugor të Ukrainës, u godit nga një shpërthim masiv në hapësirën që transporton trafikun hekurudhor.

Kjo ishte disfata më e madhe e fushatës ruse që pas fundosjes së anijes “Moskva” më 14 prill.

Autoritetet ruse raportuan se dëmi nga shpërthimi dhe zjarri në Urën e Krimesë u vlerësua në gjysmë miliardë rubla (rreth 8 milionë dollarë).

Imazhet nga ura treguan një zjarr që përfshiu të paktën dy vagona hekurudhore nga një tren në urë, shoqëruar nga një kolonë e madhe tymi të zi.

Shpërthimi, për të cilin dëshmitarët thanë se mund të dëgjohej kilometra larg, ndodhi rreth orës 6 të mëngjesit.

Imazhet e mëvonshme tregonin gjithashtu se një pjesë e urës rrugore që shkon paralelisht me shinat e trenit ishte shembur.

Reagimet

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, u informua për zjarrin në urën e Krimesë dhe udhëzoi krijimin e një komisioni qeveritar.

“Presidenti udhëzoi kryeministrin të formojë një komision qeveritar për të zbuluar shkaqet e ngjarjes dhe për të eliminuar pasojat sa më shpejt të jetë e mundur. Ai do të përfshijë gjithashtu krerët e rajonit të Krasnodarit dhe Krimesë, përfaqësues të Gardës Ruse, FSB-ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, vëren Peskov.

Ai shtoi më tej se zyrtarët ende nuk mund të vlerësojnë kohën e nevojshme për të rivendosur urën në gjendje pune.

Komiteti Kombëtar i Antiterrorizmit rus i tha agjencisë “RBC News” se një kamion u hodh në erë në urën e Krimesë.

Kjo gjë çoi në zjarrin e shtatë rezervuarëve të karburantit të trenit dhe në shembjen e pjesshme të dy hapësirave të makinave.

Raportohet gjithashtu se të gjithë trenat që lidhen me Krimenë dhe që ishin planifikuar të dërgoheshin në të ardhmen e afërt nuk do të dërgohen përkohësisht.

Kjo, për shkak të zjarrit në urën e Krimesë. Përveç kësaj, shitja e biletave të trenit për në Krime është pezulluar.

Senatori rus Alexander Bashkin thotë se Moska do t’i përgjigjet sulmit të urës së Krimesë me një “përgjigje ndoshta asimetrike”.

Ndërsa deputeti rus, Oleg Morozov nënvizoi se “sulmi terrorist” është deklaratë e një “lufte pa rregulla”.

Ukraina

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) qëndron pas bombardimit të urës së Krimesë më 8 tetor.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta vendase “E Vërteta Ukrainase”, duke cituar një burim në organet e rendit.

Sipas burimit, minimi i urës së Krimesë është një operacion special i SBU-së.

Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov publikoi të shtunën e 8 tetorit në median sociale “Facebook” një video me Urën e Krimesë që digjet.

Së bashku me videon e urës që digjet, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare publikoi një video me këngën e Marilyn Monroe “Gëzuar ditëlindjen, zoti President”.

“Gëzuar ditëlindjen, zoti President” u këndua më 19 maj të vitit 1962, për ish-presidentin e ndjerë amerikan John F. Kennedy në një gala të mbajtur në Madison Square Garden për ditëlindjen e tij të 45-të, 10 ditë përpara datës aktuale ( 29 maj).

“Mirëmëngjes, Ukrainë!”, shkruan zyrtari ukrainas.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i kreut të zyrës së Presidentit, reagoi menjëherë ndaj zjarrit që shpërtheu në urën e Krimesë.

“Krimea, një urë, një fillim. Çdo gjë e paligjshme duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet t’i kthehet Ukrainës, gjithçka e pushtuar nga Rusia duhet të dëbohet”, theksoi ai.

Ura është shumë simbolike për Rusinë dhe një rrugë e rëndësishme logjistike furnizimi për forcat ruse në Krime dhe në Ukrainën jugore të pushtuar nga Rusia.

Hapësira hekurudhore është pjesë e një çifti urash paralele, që kalojnë ngushticën e Kerçit që lidh Krasnodarin në Rusi dhe Krimenë, e cila u ndërtua nga Rusia pas pushtimit dhe aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Rreth 19 kilometra e gjatë, ura tokësore u inagurua nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2018, me urën hekurudhore që u hap dy vjet më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore