Kosova

Tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjë u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj


Foto: Albanian Post nga sulmi në Banjë.

Dushan Maksimoviç, Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç, të cilët dyshohen për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M., iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka thënë Gashi për AP.

Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjë, gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.

Më 27 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se kanë liruar nga arresti katër persona të cilit ishin të dyshuar po ashtu sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Banjë, Zveçan.

Sipas njoftimin të Prokurorisë, këta persona ishin liruar pasi që nuk pati prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore