Sport

Tre futbollistë të Kosovës nuk do t’i bashkohen ekipit për dy ndeshjet e nëntorit


Tre futbollistë të kombëtares së Kosovës, të cilët ishin në listën e të ftuarve nga përzgjedhësi Primoz Gliha për dy ndeshjet e nëntorit, nuk do t’i bashkohen ekipit, njofton Federata e Futbollit të Kosovës.

Bëhet fjalë për Elbasan Rashanin, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen që ekipi i tij, Clermoont e humbi me rezultat 3:2 ndaj St Etienne, në kuadër të xhiros së 11-të të ligës së Francës.

Ndërsa Lirim Kastrati e Bersant Celina, kërkuan të lirohen nga këto ndeshje, për shkak të situatave të tyre në klubet ku ata luajnë.

Gjithashtu FFK bën të ditur se edhe situata e Zymer Bytyqit mbetet për t’u vlerësuar, pasi që ai ka pësuar një lëndim në ndeshjen e djeshme që ekipi i tij Konyaspor e fitoi me rezultat 0:2 ndaj Goztepe, në takimin e xhiros së 12-të të Superligës së Turqisë.

Bytyqi është duke i kryer ekzaminimet mjekësore me klubin e tij dhe më pas do të merret vendimi definitiv për të.

Në javën e ardhshme Dardanët do të zhvillojnë dy takime. Fillimisht të mërkurën do të luajnë me Joraninë në një ndeshje miqësore në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pastaj të dielën do të luajnë në udhëtim te Greqia, në ndeshjen e fundit kualifikuese të Kupës së Botës.

Kosova aktualisht gjendet në vendin e fundit të Grupit B, me katër pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Gjeorgjia e pozicionuar një vend më lart.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore