Shqipëria

Tre bashki me “pasqyrim” elektronik


Tre bashki do të manifestojnë risinë teknologjike të zgjedhjeve vendore të 14 majit me pasqyrimin në kohë reale të të dhënave mbi pjesëmarrjen në zgjedhje.

Elbasani, Vora dhe Kamza do të jenë bashkitë ku teknologjia do të aplikohet në procesin e votimit më 14 maj për zgjedhjet vendore në Shqipëri.

Meqenëse në këto tre bashki votimi dhe numërimi do të jenë elektronik, pritet që të nxjerrin rezultatin e zgjedhjeve të parat.

“Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 5 mijë e 211 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë biometrik të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje”, njoftoi KQZ-ja.

Kur shpallet rezultati

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi theksoi se në bashkitë ku do të aplikohet pasqyrimi elektronik, rezultati pritet që të dalë brenda 2 deri në 3 orë, dhe sipas tij në rastin më të mirë për 30 minuta.

“Funksionaliteti i pajisjeve në përputhje me manualet. Po testojmë dhe procesin e transmetimit të të dhënave pas votimit. Pajisjet kanë përmbushur kërkesat e KQZ nga ana teknike për sigurinë dhe garancinë e procesit të votimit dhe fshehtësisë së votës”.

Ndër të tjera, ai tha se fshehtësia e votës e çdo qytetari kur votojnë nëpërmjet pajisjes së votimit elektronik është 100 për qind e sigurt.

Çfarë ndodh nëse hasen probleme teknike

Së fundmi, Komisioni Rregullator në KQZ miratoi procedurat e kryerjes së këtij procesi, që do të jetë i monitoruar nga operatorët teknikë.

Në rastet kur transmetimi për arsye teknike që lidhen me pajisjen nuk ndodh, procesi i nxjerrjes së rezultateve do të kryhet manualisht.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zgjeruar hartën e implementimit të teknologjisë, erdhi si rezultat i pilotimit në një prej njësive në kryeqytet në zgjedhjet e vitit 2021, që rezultoi i suksesshëm.

Vëmendja e partive pritet të jetë në një prej bashkive më të mëdha, Elbasani, aty ku parashikimet zgjedhore tregojnë për një garë të ethshme mes Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Shpallja e menjëhershme e fituesve për Elbasanin, Kamzën dhe Vorën i kushtoi buxhetit të shtetit 7 milionë euro.

Urdhri për operatorët e identifikimit elektronik (PEI)

Të gjithë operatorët e pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI), duhet të paraqiten në qendrën e votimit ku është caktuar nga KQZ-ja, në orën 06:00 të datës 14 maj.

Kështu zbuloi nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, duke cituar njoftimin e saj për shtyp.

Ajo theksoi se mosparaqitja e operatorit në qendrën e votimit në orën e përcaktuar në pikën e parë të këtij urdhri, e ngarkon atë me përgjegjësi ligjore.

“Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi zyrtarja e KQZ-së.

Pelinku deklaroi se në zgjedhjet e dy viteve të kaluara, procesi i identifikimit elektronik është kryer me sukses dhe ky është viti i tretë që pritet të jetë gjithashtu i suksesshëm.

Ajo tha se testi operacional verifikon elementët si: nëse një votues i përket asaj qendre votimit, nëse një votues tenton të votojë më shumë se një herë, apo nëse një votues është në qendrën e gabuar të votimit.

Gjithashtu, edhe rastet e veçanta që lidhen me komisionerët apo zgjedhësit që paraqiten me vendim gjykate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore