Shqipëria

Transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen katër të rinj nga Kosova


Efektivët e Policisë kanë arrestuar katër të rinj nga Kosova të cilët u kapën duke transportuar kundrejt fitimit, pesë emigrantë të paligjshëm.

Operacioni policor i koduar “Midnight 8” përfundoi me sekuestrimin e tre automjeteve, katër aparateve celulare dhe shumave monetare të valutave të ndryshme.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Midnight 8’. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: -A. P., 27 vjeç; E. S., 22 vjeçe; U. K., 27 vjeç; A. S., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë”, bën me dije Policia.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për disa shtetas që do të transportonin kundrejt pagesës, emigrantë të paligjshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin, organizuan veprimet pranë vendit të quajtur “Tyrbja e Gocës”.

Efektivët bënë të mundur lokalizimin e tre automjeteve, tip “Volkswagen”, “Audi Q7” dhe “Audi A8”, me të cilët po qarkullonin shtetasit e lartpërmendur.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të transportonin kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të BE-së, pesë emigrantë të paligjshëm.

Policia shtoi se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore