Lajme

Transformimi i Oslos – nga eksportues i naftës – në pionier i politikave të gjelbra


Fabrika e Oslo Varme, në Norvegji që shërben për djegjen e mbeturinave

Kryetari i kryeqytetit norvegjez, Raymond Johansen, argumenton se detyra “morale”, për të zvogëluar emetimet nga djegia e mbeturinave, mund të përmbushet me kapjen e karbonit.

Qyteti i Oslos u ndërtua mbi pasurinë e krijuar nga Deti i Veriut, i cili për dekada ka prodhuar miliarda fuçi naftë dhe gaz.

Por Oslo tani shpreson të udhëheqë transformimin e Norvegjisë nga eksportuesi më i madh në botë të lëndëve djegëse fosile në një pionier global të politikave të gjelbra.

Për kryebashkiakun e Oslos, ndihma në udhëheqjen e përpjekjeve globale për të trajtuar krizën klimatike është një përgjigje pragmatike ekonomike ndaj parandalimit të industrive të karburantit fosil të Norvegjisë, dhe një detyrim moral për të siguruar zgjidhje për një krizë që ndihmoi në krijimin e tij.

Në zemër të planit të Johansen qëndron një djegës i mbeturinave industriale.

Raymond Johansen, Kryetari i Oslos

Fabrika e Oslo Varme, në periferi të kryeqytetit, gjeneron nxehtësi dhe energji elektrike, duke djegur mbeturina dhe është prodhuesi më i madh i karbonit në Oslo.

Impianti në fjalë djeg 400 mijë tonë mbeturina të pariciklueshme në vit, nga të cilat midis 50 mijë deri 100 mijë ton vijnë nga mbeturinat shtëpiake të Mbretërisë së Bashkuar.

Djegësit përbëjnë 15% të emetimeve të karbonit në Oslo.

Por uzina u përzgjodh në fillim të këtij viti në mesin e skemave që konkurrojnë për 1 miliard euro në mbështetje nga fondi i Bashkimit Evropian (BE) për inovacionin me karbon të ulët.

Johansen thotë se Oslo dëshiron ta kthejë fabrikën në një plan për mënyrën sesi qytetet në të gjithë Evropën mund të zvogëlojnë emetimet e karbonit, duke trajtuar mbeturinat e tyre.

Plani i qytetit është që të rindërtojë uzinën e mbeturinave me teknologjinë për kapjen e karbonit për të bllokuar emetimet e saj para se të hyjnë në atmosferë dhe të kontribuojnë në zvogëlimin e ngrohjes globale.

Sipas kryetarit të Oslos, Johanson, nëse uzina arrin sukses, atëherë ai mund të luajë një rol të madh në qëllimin e Oslos për të ulur emetimet e karbonit me 95% deri në vitin 2030, në krahasim me nivelet e karbonit në vitin 2009.

Projekti ambicioz shpreson të bëhet baza për planin më të gjerë të Norvegjisë për të krijuar një zinxhir të kapjes së karbonit në shkallë të plotë dhe të bëhet shembull i trajtimit të mbeturinave në të gjithë Evropën.

“Nga pikëpamja etike dhe morale, mendoj se është e rëndësishme që ne të jemi të gatshëm të kontribuojmë në një shkallë më të përparuar dhe të zhvillojmë teknologjitë e reja që na duhen”, thotë Johansen.

Norvegjia beson se mund të bazohet në trashëgiminë e saj gjysmë shekullore të tubacioneve të gazit fosil nga Deti i Veriut për në Evropë, duke bërë të njëjtën gjë në mënyrë të kundërt për emetimet e karbonit.

Projekti i kapjes së karbonit planifikon të dërgojë karbon të lëngshëm nga vendet industriale të pajisura me teknologji të kapjes së karbonit në një terminal në bregdet në brigjet perëndimore të Norvegjisë.

Nga atje, karboni i lëngshëm do të transportohet me tubacion në një vend depozitimi nën Detin e Veriut, ku do të ruhet përgjithmonë.

“Një vend i pasur i varur nga nafta dhe gazi si Norvegjia është, deri diku, i detyruar të zhvillojë një teknologji të tillë dhe ta bëjë atë më të disponueshme për pjesën tjetër të Evropës. Ne duhet ta bëjmë atë. Ne duhet ta paguajmë atë çmim”, përfundoi Johansen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore