Kosova

“Trainkos” angazhoi dy serbë për testim të lokomotivave, nga ndërmarrja refuzojnë të tregojnë kush ishin


Foto nga Albanian Post

Ndërmarrja Publike “Trainkos” në muajin qershor kishte angazhuar dy serbë nga qyteti i Nishit për të testuar disa nga lokomotivat e ndërmarrjes.

Kjo përzgjedhje e tyre – siç thuhet nga kompania – u bë meqë ata janë ekspertë të cilët posedojnë njohuritë dhe pajisjet e duhura për testim.

Ardhja e këtyre ekspertëve nga Serbia ishte tentuar të mbahej e fshehur për një kohë dhe siç i ka thënë Albanian Post-it një ish-punëtor i kësaj ndërmarrje, kur ka kuptuar për ardhjen e tyre, menaxhmenti e ka larguar nga puna.

Në sqarimet e kërkuara nga AP, zëdhënësi i “Trainkos”, Behxhet Haziri, ka pranuar se aty kanë qenë dy serbë me kërkesë të tyre, por ai ka refuzuar të jap emrat e këtyre dy ekspertëve.

“Në ndërmarrje kanë qenë dy ekspertë të fushës me kërkesë të ndërmarrjes për të na kryer një shërbim, të cilët pa pagesë (pro bono) kanë kryer një testim dhe kanë identifikuar prishjet në lokomotivat tona”, ka thënë Haziri për AP.

Ai nuk është shpjeguar se për çfarë arsye dy serbët ekspertë pranuan që t’i kryejnë shërbimet e ndërmarrjes pa pagesë.

Këta ekspertë, zëdhënësi thotë se posedojnë njohuritë dhe pajisjet adekuate për testimin “kuadro të tillë që fatkeqësisht nuk i kemi në ndërmarrjen tonë, as edhe në nivel vendor”.

“Ekspertët vijnë nga qyteti i Nishit dhe janë bashkëpunëtorë të Kompanisë së Mirëmbajtjes së Lokomotivave të Zrenjaninit, kompani kjo që është bashkëpunëtorë e përzgjedhur nga fituesi i tenderit për kryerjen e disa punëve në Trainkos Sh.A., përkatësisht riparimin e mesëm të vagonëve dhe lokomotivave”.

Dy lokomotiva, potencoi ai, janë rregulluar, dhe për dy të tjera pritet që të intervenohet.

“Ndërmarrja, përmes punës së stafit të sektorit të Mirëmbajtjes së Mjeteve Lëvizëse, ka vënë në funksion dhe ka riparuar dy lokomotiva. Përmes proceseve të tenderimit janë blerë pjesë të veçanta për t’i vënë në funksion dhe këtë punë e ka kryer stafi ynë. Ndërkohë, dy lokomotiva të tjera janë jashtë operimi dhe presin të riparohen dhe të vihen në funksion”, ka shtuar ai.

“Përveç se si anëtar vëzhgues dhe synues për të qenë anëtar i European Agency for Railways dhe organizatave të tjera hekurudhore, ne jemi të obliguar të bashkëpunojmë në nivel rajonal dhe të standardizojmë veprimet tona në këtë fushë”, shtoi Haziri.

“Ne kemi bashkëpunim me hekurudhat e rajonit, të cilat janë pjesë e rrjetit të së cilave jemi dhe ne, aty ku kemi qasje dhe mundësi”.

Ekspertët e kanë kaluar legalisht kufirin, shton Haziri, përmes pikës së Merdarit “ashtu siç bëjnë çdo ditë qytetarët e të dyja vendeve tona, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore për kalimin e pikës kufitare (pjesë e marrëveshjes IBM)”.

Por, sipas ish-shefit të njësisë së sigurimit fizik në “Trainkos”, Haxhi Xhemajli, situata nuk është aq e qartë, siç është prezantuar nga zëdhënësi Haziri.

Xhemajli thotë se ndryshe nga sa ndodhë gjithmonë, prezenca e dy serbëve në “Trainkos”, asnjëherë nuk është dokumentuar zyrtarisht.

“Më datë 17 qershor në Ndërmarrjen ‘Trainkos’ kanë ardhur dy serbë prej Serbisë. Kanë shkuar punëtorët tonë i kanë marr në Merdarë në lidhje me disa lokomotiva, por ata kur kanë ardhur në ‘Trainkos’ zyrtarisht nuk e kemi as një dokument hiç, s’ka pasur dokument të kontaktit, pse janë ardhur, kush janë, nuk e dimë kush janë?”, ka thënë ai për AP.

Albanian Post ka kërkuar nga “Trainkos” dëshmi zyrtare të hyrjes në ndërmarrje të ekspertëve serbë, por zëdhënësi Haziri i ka shmangur disa pyetje, duke i cilësuar “me tension”.

Për hyrjen e tyre, Xhemajli, njoftoi sigurimin.

“Kam kontaktuar sigurimin, i pyeta a është ndonjë veturë me tabela të serbëve këtu, më thanë jo, iu thash ishin dy serbë te mirëmbajtja që i kemi lokomotivat”.

“Edhe aty i kam thënë atij, ‘të shkojë dhe t’i regjistrojë’. (Njërit prej serbëve të ardhur) ia kanë marr emrin dhe mbiemrin dhe e kanë regjistruar në fletore të sigurimit”, tha ai.

Xhemajli pretendon se kur menaxhmenti pa interesimin e tij, filluan t’i bëjnë presion.

“Unë si përgjegjës i sigurimit jam interesuar ta dija çka është duke ndodhur aty. Edhe ata e kanë vërejtur që e kam shkruar unë aty edhe më janë gjuajtur me presion. Tash ma kanë ndërprerë kontratën krejt, pse unë kam shkruar emrat në fletore të punës”, tha Xhemajli.

Por, reagimi i tillë i kompanisë nuk ishte vetëm ndaj tij, siç pretendon Xhemajli, por edhe ndaj punonjësve të tjerë.

“Ata si lloj hakmarrje ia kanë nis me na u gjuajt neve punëtorëve; një punëtori të sigurimit ia kanë ndërruar vendin, pra pikën e sigurimit, kanë menduar që ai i ka shkruar”.

Nga “Trainkos”, pohon ai, kanë dashur që ta mbajnë këtë çështje të fshehtë meqë nënvizon se “nuk ka asnjë dokument zyrtar, pse kanë ardhur, si kanë ardhur dhe ne s’po e dimë”.

Madje ai shton se pikërisht kjo situatë e la edhe pa punë, meqë nuk iu vazhdua kontrata.

“Tash kur e kanë kuptuar që ne e kemi shkruar atë – unë 7 muaj kam qëndruar pa kontratë – më kanë shkëputur marrëdhënien e punës, më kanë ofruar një kontratë që ka qenë e kundërligjshme, unë s’e kam nënshkruar”, tha ai.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i “Trainkos-it”, ka krejt tjetër shpejgim.

Ai nuk e lidh largimin e Xhemajlit me asgjë tjetër, por me faktin se i njëjti refuzoi të nënshkrujë kontratën e re për vendin dhe pagën e njëjtë.

“Sa i përket interesit të shprehur për punëtorin Xhemajli ekziston një vendim administrativ, sipas të cilit ai nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratën e ofruar nga ndërmarrja për vendin e njëjtë të punës me pagën e njëjtë”.

AP ka pyetur edhe Ish-Kryeshefin Ekzekutiv të “Trainkos” Gelor Shala, për të kuptuar më shumë se si funksionojnë gjërat aty.

Shala ka thënë për AP se çdo investim që realizohet me fonde publike duhet të kryhet në përputhje me procedurat e përcaktuara të tenderimit, duke siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri në përdorimin e këtyre mjeteve.

“Testimi i lokomotivave realizohet pas përfundimit të riparimeve të nevojshme. Pas çdo investimi që duhet të bëhet me procedura të prokurimit duhet të sigurohet që shërbimi i kryer është realizuar me kualitet të duhur, prandaj edhe bëhet testimi”, tha Shala.

I pyetur nëse personat e angazhuar për lokomotiva aty duhet të figurojnë në regjistra, pra që të dëshmohet hyrja e dalja e tyre në këtë ndërmarrje, Shala potencon se “për çdo hyrje dhe dalje në ambientet e kompanisë, ekzistojnë regjistra të veçantë të mbajtur nga personat përgjegjës, ku dokumentohen të gjithë individët që hyjnë në objekt dhe nuk janë pjesë e kompanisë. Kjo siguron një evidencë të saktë dhe të plotë të çdo lëvizjeje brenda kompanisë”.

Sa i përket çështjes së çuditshme të ekspertëve nga Serbia, ish-Kryeshefi i Trainkos-it, tha se “kjo çështje duhet adresuar te departamentet përkatëse brenda kompanisë për një shqyrtim të detajuar”.

Misioni i i Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “Trainkos” është të operojë rrjetën hekurudhore të Kosovës, të përmirësojë dhe mirëmbajë linjat hekurudhore të Kosovës për operim (shërbimet e mallrave dhe me mundësi edhe shërbimet e transportit të udhëtarëve) bazuar në standardet e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore