Shqipëria

Tragjedia hekurudhore në Greqi, MEPJ-ja konfirmon 4 viktima me origjinë shqiptare


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri bëri me dije të shtunën e 4 marsit se në rradhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare.

Bëhet fjalë për shtetasit: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas dhe Klaudia Lato.

Autoritetet shqiptare shtuan se pritet përgjigja e ADN-së për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke.

Shqipëria ka shpallur të dielën e 5 marsit ditë zie për nder të viktimave të tragjedisë hekurudhore në Greqi.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.

“Ditën e diel Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysmë shtize”, shkruante Rama.

Sipas tij, tragjedia e Greqisë “është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona”.

“Ky është një nga ato momente jetësore”, vëren kreu i Qeverisë, “kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin”.

Sipas të dhënave të fundit, numri i personave të vrarë si pasojë e përplasjes së trenave të pasagjerëve dhe mallrave pranë qytetit grek të Larisës është të paktën 57.

Këtë e ka thënë në transmetimin e radiostacionit grek RealFM, shefja e mjekësisë ligjore, Rubini Leontari.

Sipas saj, të mërkurën morgu i qytetit mori shtatë trupa të djegur, 14 të tjerë u dorëzuan të enjten.

Përveç kësaj, aty janë mbledhur më shumë se 10 çanta me pjesë të veçanta të trupit, të cilat do të identifikohen nga analiza e ADN-së.

Siç raportojnë mediat greke, që nga e enjtja, gjashtë viktima të aksidentit hekurudhor mbeten në gjendje kritike, dhe më shumë se 70 janë në trajtim spitalor si në qytetin e Larisas ashtu edhe më gjerë.

Kujtojmë se aksidenti në përmasa të mëdha ka ndodhur të martën para mesnate.

Një tren pasagjerësh që transportonte rreth 350 persona u përplas me një tren mallrash teksa doli nga tuneli pasi u largua nga qyteti i Larisas.

Shefi i stacionit lokal u akuzua për vrasje të pavullnetshme.

Ministri i transportit i Greqisë dha dorëheqjen pas katastrofës, ashtu si edhe krerët e dy kompanive hekurudhore.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se aksidenti ishte shkaktuar nga “gabim tragjik njerëzor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore