Lajme

Tragjedia e 23 nëntorit: Ditë zie në RMV, Kosovë dhe Bullgari – familjarët e viktimave presin informacionet zyrtare


Në shenjë solidariteti për aksidentin tragjik të 23 nëntorit ku humbën jetën 46 persona – mes të cilëve 12 fëmijë – e mërkura e 24 nëntorit do të jetë ditë zie zyrtare edhe në Kosovë dhe në Bullgari.

Qeveria maqedonase vendosi të martën që të caktojë tri ditë zie zyrtare.

Flamujt shtetërorë të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) para godinës qeveritare u ulën në gjysmë shtizë.

Për shkak të tragjedisë u anuluan të gjitha aktivitetet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut si dhe të gjitha takimet e planifikuara.

Kosovë-Bullgari

Në Kosovë ishte presidentja Vjosa Osmani që vendosi shpalljen e të mërkurës si ditë zie zyrtare.

“Në mbështetje të legjislacionit në fuqi, Presidentja ka marrë vendim të mërkurën, me 24 nëntor 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese bashkëkombës tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksidentin që ndodhi në Bullgari”, shkruhet në dekretin zyrtar.

Zëvendëskryeministri bullgar, Galab Donev, do të deklaronte më herët se 24 nëntori do të jetë ditë zie zyrtare edhe në Bullgari.

Sipas zyrtartit bullgar, në këtë mënyrë do të nderohen viktimat e aksidentit të rëndë të autobusit në autostradën e Strumës.

“Dita e zisë do të jetë e përbashkët në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut”.

Zëvendëskryeministri bullgar, Galab Donev

Bullgaria vuajti një tragjedi të dyfishtë pasi në një shtëpi të moshuarish, humbën jetën nëntë persona pas rënies së zjarrit. Ngjarja e rëndë u regjistrua në fshatin Rojak të Varnës.

Deklarata e ministrit Osmani 

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani, në një deklaratë për media deklaroi të mërkurën e 24 nëntorit se familjarët e viktimave presin ende informacione zyrtare.

“Familjarët presin informata lidhur me anëtarët e tyre që kanë humbur jetën në këtë aksident. Megjithatë bëhet fjalë për një çështje që ne nuk mund t’i konfirmojmë sepse presim vendim…Dje kam publikuar emrat e të lënduarve me qëllim që t’ua lehtësoj çështjen”, tha Osmani.

Ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani

Më herët, u vunë re disa parregullsi në kompaninë e transportit “Besa Trans”, autobusi i së cilës mori zjarr të martën e 23 nëntorit.

Kompania ka pasur licencë për transport ndërkombëtar por nuk zotëronte një licencë për automjetin në fjalë.

Automjeti i djegur nuk ka qenë i regjistruar dhe nuk gjendej në bazën elektronike të ministrisë së Transportit.

Heqje licence

Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se kanë filluar procedurat për heqjen e licencës për punë të kompanisë së transportit “Besa Trans”.

“Për shkak të dëshmive të deritanishme se transportuesi ka bërë transport pa licencë për automjetin, në bazë të Ligjit për transport në trafikun rrugor, Ministria e Transportit ka filluar procedurë për marrjen e licencës për punë”, ka deklaruar për mediat zyrtari maqedonas.

Ministri i Transportit në RMV, Bllagoj Boçvarski

Ministri sqaroi më tej se është edhe inspektorati për hetimin e aksidentit që ka ndodhur në Kroaci.

Ndërtimi i ngjarjes

Të paktën 46 persona humbën jetën, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Ministria e përditësoi më pas numrin në 46. Në bord kishte gjithsej 53 persona.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri Osmani, sqaroi për mediat se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore